Skip to main content

Një vit pa Facebook!



Vitin që shkoi kisha vendosur të provoja një gjë në lidhje me llogarinë e Facebook-ut, duke qenë që kishte filluar një ndikim negativ në kohën time. Pasi që një nga pasionet e mia është shkrimi, përpiqesha të postoja disa nga shkrimet e mia si dhe inkurajimet e ndryshme, që janë pjesë edhe e punes sime pastorale. Duke qenë që shumica e shqiptarëve kanë një llogari në Facebook, normalisht që për të qenë në komunikim me të tjerë duhet të jesh aty ku ata janë.

Por kur ke aplikacionin e Facebook-ut në celular të gjitha pëlqimet dhe komentet të sjellin edhe njoftimet e tyre, gjë që të shtyn të hysh sërish në aplikacion. Pastaj njerëz që nuk i njeh dhe duan të bëhen ‘miq’ me ty dhe ata që duan të të shkruajnë ose të të bëjnë pjesë e grupit të tyre vetëm sa shtojnë numrin e njoftimeve në celular.

Facebook-u  është një aplikacion social, dhe e njeh shume mirë dobësinë e njeriut për të futur hundët tek gjërat e tjetrit, dhe kjo dobësi e shfrytëzuar mjeshtërisht nga aplikacioni, bën që kushdo që ka një llogari , të mund të rrijë me orë të tëra duke shikuar postimet e të tjerëve dhe muret e tyre plot me thënie (të tyre ose të dikujt tjetër), me video të ndryshme dhe nganjëherë pa dmth fare, me lajme e me pafundësi gjërash. Ndaj duke qenë që kushtet janë të tilla vendosa të bëja disa gjëra në lidhje me të.

E para gjë që bëra,duke  shikuar ndikimin negativ të Facebook-ut në kohën time, vendosa ta hiqja aplikacionin nga celulari. Dhe jo vetëm Facebook-un por çdo aplikacion social si Twitter, Instagram dhe LinkedIn. I hoqa nga celulari në mënyrë që pjesa e njoftimeve të hiqet plotesisht dhe më nuk kisha zile të shpeshta që më tërhiqnin vëmendjen.  Uau- kjo ishte vërtet një gjë çliruese dhe ndikimi ishte i menjëhershëm.
Në celular kam lënë ato aplikacione që u mundësojnë të tjerëve të më shkruajnë në Internet sepse puna pastorale patjetër kërkon që lidhjet komunikuese të jenë të hapura me të tjerët.

E dyta gjë që bëra ishte që ndalova postimin e fotove familjare, udhëtimeve dhe dreka/darka/restorante se  më dukej sikur po merrja gjithë miqtë e mi me vete kudo që shkoja dhe humba privacine. Ndoshta për dikë mund të duket interesante postimi i çdo levizjeje të tyre por për mua kjo është paksa e vjetër tashmë. Tani fotot familjare i dërgoj në grupin e familjes përmes aplikacioneve të tjera dhe vetëm për familjen!

E treta gjë që ndodhi pas një viti pa Facebook,(që ishte si një kohë agjërimi nga gjithë informacioni i panevojshëm ose i përsëritur me qindra herë nga miqtë e tu),  unë përjetova një çlirim nga dëshira për të shikuar postimet e të tjerëve dhe nuk e di sa sa orë të humbura kam kursyer vitin që shkoi! Me miqtë e mi të vërtetë kam komunikim të rregullt dhe nuk kam nevojë t’i ndjek postimet  e tyre sepse tashmë jam në komunikim me ta dhe e di se çfarë po ndodh në jetën e tyre.

Si e përdor Facebook-un tani?

Facebook është më tepër se një media sociale- është një platformë që njeërzit e përdorin më shumë  për ndikim tek të tjerët sesa për miqësi. Edhe termi ‘miq’ (friends) në Facebook është sipas meje i gabuar sepse është e pamundur të kesh me mijëra miq. Nëse kemi një ose dy miq të vërtetë jemi njerëz me fat. Çdo gjë përtej këtyre numrave është thjesht një ‘i/e njohur’ose ‘i/e panjohur’ por që  ka një interes që do të lidhet me ty.

Ndoshta interesi mund të jetë intelektual (sepse poston diçka që ushqen mendjen e tyre), shpirtëror /frymëror (sepse ushqen shpirtin/ frymën nga postimet tuaja) ose janë thjeshtë të vetmuar dhe të varur nga aplikacioni dhe duan më shumë miq sepse kjo u krijon atyre ndjesine se janë të vlerësuar, të pranuar ose... më të mirë se të tjerët (që kanë më pak miq se ata) dhe për arsye edhe jo etike.
Facebook-un tashmë e përdor vetëm për postime që kanë të bëjnë me artikuj dhe postime që ndërlidhen me punën time pastorale dhe intelektuale. Për të tjerat nuk kam kohë. Aplikacionet i hap në kompjuter dhe nuk planifikoj t’i rikthej në celularin tim. Në këtë mënyrë ruaj veten nga vjedhësit e kohës.

Ky artikull nuk është shkruar për të gjykuar askënd që e përdor Facebook-un me orë të tëra çdo ditë por për të treguar që është e mundur të jetosh pa të ose pa qenë i ‘varur’ nga aplikacioni, (dhe e di se të tillë njerëz ka shumë sot). Pra ka një rrugëdalje – është në pushtetin tënd që të rifitosh lirinë nëse do.

Sa për informacion, ka njerëz që nuk kanë një llogari në Facebook dhe janë shumë shumë rehat me këtë vendim! Mendoj që secili duhet të shikoj arsyen pse përdorin Facebook-un dhe kohën që kanë në dispozicion për këtë ose të tjera aplikacione. Nëse keni kohë për të harxhuar dhe mendoni se ia vlen t’i çoni në mediat sociale ju mund ta bëni. Por jam shumë i sigurt që miqësitë e vërteta me njerëz të vërtetë dhe koha e shpenzuar me ta, do të ketë shumë më tepër vlerë për ju në të ardhmen, sesa lëvizja e gishtit mbi një ekran celulari  me orë të tëra!


Popular posts from this blog

Kujdes çfarë dëgjoni!

Secili prej nesh këto ditë për shkak të karantinës duket se jemi të detyruar në një mënyrë ose tjetër të mendojmë se si do ta përdorim gjithë atë kohë që e kemi në dispozicion. Kjo përfshin shumë njerëz të cilët janë brenda shtëpive të tyre dhe ndoshta nuk e ushtrojnë dot profesionin nga shtëpia. Në po të njëjtin grup janë edhe ata të papunë dhe të rinj që  tani kanë më shumë kohë në dispozicion për të harxhuar. Por çfarë ndodh me njeriun i cili është i mbyllur brenda për një kohë të gjatë. Ai/ajo do të shikojë për mënyra për të dalë jashtë ambientit ku ndodhet. Dhe nëse jeton në një pallat, ku mundësia për pak ajër mund të jetë ballkoni, atëherë ngelet që çdo gjë mediatike mund të na tundoj si një der ë për të dalë jasht ë . Kjo është dalja me e shpejtë nga realiteti dhe celularët, tabletat, televizori dhe kompjuteri duken si mundësitë më të shpejta për k ët ë gj ë. Por në vend që të marrim ajër të pastër ose të pushojmë sytë nga bukuria e krijimit, bota virtuale nuk m

Skllaveria e diteve te sotme dhe Shabati Biblik

" Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënden, ‎por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite ASNJË punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja...asnjë nga kafshët e tua...me qëllim që....të çlodhen si ti.  Ligji i Përtërirë 5:13-15 ‎Të punosh çdo ditë, siç ndodh në shumë biznese shqiptare është modeli skllavërues i kohës së lashtë të Egjiptit. Kjo kulturë e pangopësisë ndaj lekut përpiqet të hyjë në bashkësinë e shenjtë të shenjtorëve, e maskuar si "sakrificë për Zotin" por duhet kujtuar sërish që Perëndia asnjëherë nuk e shkel Fjalën e Tij. ‎Çlodhja jote është po aq e rëndësishme sa edhe puna që bën. A nuk po përparojnë spitalet dhe klinikat në vendin tonë pikërisht nga kjo murtajë që është në mes nesh, kjo e punuar nga e hëna deri të dielë, që privon shqiptarët nga çlodhja kaq e nevojshme, dhe nga koha me familjet dhe fëmijët e tyre, që

Jezusi dhe Jerusalemi

'Jerusalem...që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët !' Mateu 23:37 ‎Pushteti më i madh që njeriu ka në dorë është vullneti i tij personal. Ti e ke, unë e kam, të gjithë njerëzit e kanë një të tillë. Në fakt është një dhuratë nga vet Perëndia që, nëse përdoret siç duhet, na ndihmon të kalojmë përjetësinë me Të. Por është aq i rrezikshëm gjithashtu, nëse e përdorim gabimisht, sepse mund të na çoj drejtpërdrejt në Ferr! ‎Këtë vullnet të lirë njerëzit e kanë përdorur për të mirën e të tjerëve ose për skllavërimin e tyre. Mbi këtë vullnet të lirë nuk ka pushtet askush përveç teje për ta përdorur për të mirën më të lartë. Je ti ai ose ajo që vendos mënyrën sesi e përdor atë. Vendimet që ti i merr me vullnetin tënd të lirë ndikojnë jo vetëm tek ti por edhe tek partneri yt jetësor, tek fëmijët e tu, tek familja jote e gjërë, komuniteti yt si