Secili prej
nesh këto ditë për shkak të karantinës duket se jemi të detyruar në një mënyrë
ose tjetër të mendojmë se si do ta përdorim gjithë atë kohë që e kemi në
dispozicion. Kjo përfshin shumë njerëz të cilët janë brenda shtëpive të tyre
dhe ndoshta nuk e ushtrojnë dot profesionin nga shtëpia. Në po të njëjtin grup
janë edhe ata të papunë dhe të rinj që tani kanë më shumë kohë në dispozicion për të
harxhuar.
Por çfarë
ndodh me njeriun i cili është i mbyllur brenda për një kohë të gjatë. Ai/ajo do
të shikojë për mënyra për të dalë jashtë ambientit ku ndodhet. Dhe nëse jeton në
një pallat, ku mundësia për pak ajër mund të jetë ballkoni, atëherë ngelet që
çdo gjë mediatike mund të na tundoj si një derë për të dalë jashtë.
Kjo është
dalja me e shpejtë nga realiteti dhe celularët, tabletat, televizori dhe
kompjuteri duken si mundësitë më të shpejta për këtë gjë. Por në
vend që të marrim ajër të pastër ose të pushojmë sytë nga bukuria e krijimit,
bota virtuale nuk mund të na i zëvendësojë këto por na jep një ngushëllim të
momentit dhe ‘na humbet mendjen’ me video të ndryshme, muzike, filma etj.
Në fillim
mund të duket shumë e pafajshme kjo gjë dhe nuk e kuptojmë që shumë shpejt mund
të kalojmë në varësi dhe pastaj nuk arrijmë ta kuptojmë se si na ikën koha aq
shpejt dhe nuk bëjmë asgjë produktive gjatë ditës.
Një ndër gjërat
që ne si të krishterë ( por edhe çdo njeri tjetër pavarësisht besimit) duhet të
jemi të kujdesshëm ka të bëj me atë që jemi duke dëgjuar gjatë ditës. Shikoni
thënien e Jezusit: Kini kujdes se çfarë
dëgjoni (Marku 4:24). Pse është aq e rëndësishme për ne se çfarë dëgjojmë?
Ja disa arsye:
E para, besimi vjen
nga dëgjimi. (Rom.10:17.) Nëse besimi vjen nga dëgjimi, dhe ajo që po dëgjon
sjell besim tek ty atëherë patjetër vazhdo, dhe dëgjo dhe ridëgjo atë mësim ose
predikim. Sot në Internet ka me miliona predikime të mira që mund të na ndërtojnë
dhe forcojnë besimin tonë. Por jo të gjitha predikimet online janë për ne dhe
jo të gjitha ndërtojnë besimin. Ti duhet të jesh shumë shumë i kujdesshëm se
çfarë dëgjon në Internet. Jo çdo person që predikon ka qëllimet e duhura. Disa
janë pas famës, disa pas parasë, disa janë pas gjërave jobiblike dhe disa janë
thjeshtë mashtrues. Disa predikojnë Krishtin për smirë dhe për grindje, por
disa të tjerë me vullnet të mirë. Disa predikojnë Krishtin me qëllime jo të
pastra, disa predikojnë Krishtin nga dashuria. Pra ka motive të ndryshme në
predikim dhe ti duhet të kesh shumë kujdes.
Si pastor më është dashur në raste të caktuara të paralajmëroj
njerëzit e kishës që të mos shikojnë predikime të caktuara sepse besimi i tyre
mund të dëmtohej. Disa prej tyre më kanë dëgjuar por ka edhe nga ata që nuk dëgjojnë.
Pastorët janë barinjtë e kishave dhe nëse
je në një kishë është gjithmonë e mirë të komunikosh me pastorët e tu në lidhje
me predikimet që i dëgjon jashtë kishës tënde lokale.
E dyta, mashtrimi
vjen nga dëgjimi poashtu. Siç e përmenda më lart ka besimtarë që duke shikuar
në Internet predikime të ndryshme janë larguar edhe nga besimi. Jam shumë i
bindur që ka shumë mashtrues që predikojnë mësime të rreme dhe pretendojnë
sikur vetëm ata kanë doktrinën e vërtetë dhe nga ana tjetër shajnë dhe ulin
poshtë të tjerët, përdorin gjuhën e shpifjes dhe urrejtjes e të mos them që janë
plot me urrejtje edhe vet. Jezusi nuk na ka thirrur të shpërndajmë urrejtje për
njerëzit dhe aq më tepër të flasim keq për dikë që i shërben Perëndisë. Bibla
nuk ka nevojë për mbrojtje njerëzore, kemi mijëra vite që Bibla ekziston dhe
nuk e rrëzon kush Fjalën e Perëndisë. Është një varg në Bibël tek Romakëve 14:4
Kush je ti që gjykon shërbyesin e
tjetrit? A qëndron mbi këmbë ose rrëzohet, është punë e zotit të tij...
Disa kanë marr përsipër punën e Gjykatësit para kohe. Për fat të keq nuk e kanë
lexuar Biblën që thotë që kjo karrige tashmë është e zënë nga vetë Perëndia.
Janë dy karrige në botën frymërore që nuk duhet t’i zëmë asnjë herë. E para është
Karrigeja
e Gjykatësit Hyjnor, dhe kjo
i përket Jezus Krishtit, sepse Ai do të gjykojë gjithë njerëzimin një ditë. Dhe
e dyta është Karrigeja e Akuzuesit – e cila është zënë përjetësisht nga i
ligu. As këtë karrige nuk duhet ta ngacmojmë. Po ja që shumë njerëz e ndjejnë
si obligim moral të jenë herë në njërën e herë në tjetrën. Kujdes nga këto persona!
Janë shumë të rrezikshëm për besimin tonë dhe për ecjen tonë përpara në Perëndinë.
E treta, frika vjen
nga dëgjimi. Lajmet se çfarë do të ndodh me botën dhe në veçanti se çfarë
mund të ndodh me njerëzimin i ka shtyrë njerëzit t’i boshatisin supermarketet
brenda ditës dhe të shtyhen me njëri tjetrin edhe për një pako letrash toaleti!
Pse ndodh kjo? Sepse duke dëgjuar lajme plot frikë nga media e pakontrolluar ankthi
dhe paniku hyjnë në zemrat e njerëzve të thjshtë dhe njeriu nuk përdor më
arsyen sepse frika mbizotëron dhe mposht edhe arsyen e tyre.
Të gjithëve mund të na ketë ndodhur që pasi kemi parë një
film horror kemi hasur në vështirësi për të fjetur nga mendimet se mund të ketë
ndonjë fantazmë poshtë shtratit ose pas derës. Pse ndodh kjo? Sepse kemi dëgjuar
dhe parë diçka që ka futur frikën në ne. Një nga gjërat më të shëndetshme për të
bërë në këtë kohë është që të shikojmë lajme sa më rrallë. Dhe mundësisht
lexoni lajmet mos i shikoni ato, sepse lajmet sot janë më shumë sesa një
informim- ato kanë një tendencë që të mbajnë me orë të tëra pranë ekranit dhe
njëkohësisht të të bombardojnë me reklama kot! Disa njerëz nuk e kuptojnë që
janë të varur nga lajmet sepse i shikojnë 5 herë në ditë në disa kanale dhe nuk
ngopen dot. Dhe kjo gjë është një budallallëk.
Prandaj nëse doni lajme - lexojini ato në celular ose
kompjuter, dhe mundësisht vetëm titujt.
Ajo që vërtetë është e rëndësishme për ta ditur do të jetë me shkrim diku
patjetër. Lajmet e tjera mund t’i lini për pensionistët sepse ata kanë kohë për
t’i parë. Dhe nëse keni gjyshërit në shtëpi
lajmet e ditës mund të përsëriten sërish nga ta.
Këto janë vetëm disa nga gjërat që ndodhin në ne kur dëgjojmë
diçka. Prandaj Jezusi na paralajmëroi që të kemi kujdes së çfarë dëgjojmë dhe si dëgjojmë.
Njeriu nuk dëgjon vetëm me vesh fizik. Janë edhe dy mënyra dëgjimi që janë edhe
më të fuqishme sesa veshët fizik. Është
veshi i arsyes dhe veshi i intuitës.
Arsyeja i përket pjesës
shpirtërore të njeriut dhe intuita i përket pjesës frymërore të njeriut.
Arsyeja zhvillohet ndërsa rrisim kapacitetin tonë intelektual përmes edukimit /
librave që stimulojnë mendjen tonë tek ajo që është e mirë, njerëzore dhe
praktike ndërsa intuita zhvillohet përmes disiplinave frymërore të përcaktuara
në Bibël. Ajo që mpreh intuitën tonë si të krishterë është Bibla – Fjala e Perëndisë.
Ajo ka kapacitetin ta ndihmojë edhe arsyen dhe intuitën dhe biles Bibla ka aftësinë e vetmë të bëj
ndarjen e shpirtit nga fryma, pra të bëj edhe dallimin nëse një gjë është
shpirtërore ose frymërore.
Të dyja këto aftësi, arsyeja dhe intuita janë të kufizuara
dhe ndikuara nga ambienti ku ne jemi rritur, nga familja që na ka edukuar dhe
shoqëria ku ne jetojmë. Pra as arsyeja as intuita nuk janë burime të sigurta në
vendimet që marrim. Ajo që mund ta çojë edhe arsyen dhe intuitën tonë në
nivelet fisnike, në nivelet ku është edhe vet arsyetimi hyjnor është Fryma
e Perëndisë. Fryma e Shenjtë ka aftësinë të na jap vesh të tillë më të
mprehtë dhe në situata të caktuara do të arsyetojmë dhe do të dallojmë ashtu
siç arsyeton dhe dallon vetëm Perëndia. Jezusi ka premtuar që Fryma e Shenjtë,
kur Ai të vijë do të na drejtojë në çdo të vërtetë. (Gjoni 16:13)
Prandaj për ta arritur këtë nivel ndërgjegjeje neve duket të fokusohemi që të dëgjojmë
më shumë Frymën e Perëndisë sesa çdo gjë ose person tjetër, sepse vetëm në këtë
mënyrë do të ruajmë qartësinë e arsyes dhe intuitës sonë përgjatë jetës sonë me
Perëndinë dhe të tjerët.
Bashkësia me Frymën e Shenjtë është ajo që të krishterët e
hershëm e patën kujdes. Ata ishin të kujdesshëm që të mos e shuanin Frymën dhe të
mos e trishtonin Atë. Po ne? A jemi të kujdesshëm për të mos e bërë të
njejtën gjë?
Ajo çfarë dëgjojmë ndikon
në frymën dhe shpirtin tonë, jo vetëm në fizikun tonë.
Prandaj kini kujdes se çfarë dëgjoni çdo ditë dhe në çdo kohë. Ashtu si
jemi të kujdesshëm kur hamë ushqim sepse nuk duam që trupi ynë të helmohet nga
ushqime të skaduara ose të papastra (prandaj pastrojmë produktet, gatuajmë
ushqimet etj) sepse duam të jemi të shëndetshëm. Jam i mendimit që po të
njejtin kujdes, biles edhe më shumë
duhet të tregojmë për çfarë lejojmë të futet ne zemrat dhe mendjet tona. Kemi
vetëm një jetë për ta jetuar, pse ta mbushim veten me plehrat e të tjerëve.
Preferoj të përdor kazanin e plehrave për këto gjëra dhe jo jetën time!