Skip to main content

Si të dallojme mësimet e rreme?

 


Ne jemi krijesa që ndikohemi shumë nga ajo që na rrethon, qoftë ajo çfarë shikojmë, dëgjojmë ose përjetojmë, Ne ndikohemi nga njerëz të ndryshëm qoftë të afërm ose dhe të panjohur. Ndikohemi nga librat që lexojmë ose nga postime që shikojmë. Pra ne ndikohemi vazhdimisht dhe për këtë ska asnjë dyshim. Por i tërë ky ndikim është vullnetar apo edhe i sforcuar mbi ne?

Këtë e vendosim ne duke lejuar ose penguar ndikimet të hyjnë në zemrën tonë.Sepse çdo gjë që hyn në zemrën tonë formon karakterin tonë dhe i jep drejtim jetës sonë.

Janë disa paralajmërime që Jezusi jep në lidhje me ndikimet negative nga të cilat duhet të kemi kujdes dhe të ruhemi vazhdimisht. Ato Jezusi i quan ‘maja’ sepse majaja simbolizonte diçka të keqe, që brymos dhe korrupton edhe pse sot nuk e ka më këtë kuptim.

Në historinë e Biblës majanë e hasim që në fillesat e festave të Izraelitëve. Majaja u ndalua që në fillim nga Perëndia të përdorej në shtëpinë e Izraelitëve kur ata sapo dolën nga Egjipti. Festa e tyre e parë, ajo e Pashkës, shoqërohej nga 7 ditë me festën e bukëve të ndorme ( ose pa maja). Izraelitët duhet të hiqnin majanë nga shtëpia e tyre.

Levitiku 23:5-6
Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit, midis dy mbrëmjeve, bien Pashkët e Zotit; dhe ditën e pesëmbëdhjetë të po atij muaji bie festa e bukës së ndorme për nder të Zotit; për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme (pa maja).

Eksodi 12:15
Për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme. Ditën e parë do të kujdeseni të hiqni çdo maja nga shtëpitë tuaja, sepse kushdo që do të hajë bukë të mbrujtur, nga dita e parë deri në të shtatën, do të këputet nga Izraeli.

Pra Izraelitet duhet të hiqnin majanë nga shtëpite e tyre dhe t'i pastronin ato për festën më të rendësishmë që ishte Pashka. Çfare majaja përfaqësonte ishte diçka e keqe që Perëndia nuk e pëlqente, (pra në mënyrë simbolike ) sepse ne e dijmë që ofertat që Izraelitët bënin Perëndisë, të gjitha kishin një simbolizëm - ashtu si edhe majaja që po flasim.


Janë pesë paralajmërime në Bibël kur flasim për majanë.

Tre prej tyre janë thënë nga Jezusi dhe dy janë përmendur nga apostulli Pal.

Unë dua që t’i shikojmë me kujdes dhe të kuptojmë që edhe sot këto ndikime janë shumë të pranishme dhe duhet të kemi kujdes vazhdimisht sepse ato sjellin vdekje frymërore dhe shpirtërore në jetën tonë. Janë si helmi i gjarprit, që nuk bën zhurmë por në momentin që futet në trupin tonë, ka për qëllim vdekjen.

Majaja ka dy cilësi që janë shumë të veçanta.

1. E para është që ajo depërton shumë shpejt gjithë hapësirën ku futet. Pra pak maja fryn gjithë brumin, pra ka efektin e ndikimit të plotë. Nuk ndikon vetëm një pjesë të brumit por gjithë brumin.

2. E dyta, këtë ndikim e bën pa zhurmë. Pra nuk ka ndonjë gjë nga jashtë që të tregon se ndikimi ka filluar ose mbaruar. I gjithë ndikimi ndodh me qetësi absolute.

Pra këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme në atë që do të shikojmë, pra ndikimi është në gjithë qënien tonë dhe nuk ka një gjë nga jashtë që na tregon se ndikimi po ndodh.

Le të shikojmë pjesët në Bibël që na flasin për këto gjëra.

Tek Marku 8:15 shikojmë Jezusin të thotë: “Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!.”

Tek Mateu 16:6 Jezusi thotë: “Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!.”

Pra siç përmenda më lart kemi 5 lloje majash që përmenden në Shkrimet e Shenjta. Ato janë majaja e:

1. Farisenjvë

2. Saducenjve

3. Herodit

4. E mëkatit (kurvërisë në këtë rast)

5. E skllavërisë (e shfajësimit më anë të Ligjit)

Secila prej tyre kanë të bëjnë me mësimin që ato përfaqësojnë, jo me një person por me mësimet e tyre të rrezikshme. Kjo është e qartë nga konteksti që edhe vet Jezusi mësoi tek Mateu 16:12 ku AI mëson: ‘Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina (mesimi) e farisenjve dhe të saducenjve.’

Këto mësime janë të përhapura edhe sot edhe pse nuk identifikohen më me atë emër.

Lë të fillojme me të parën:

Majaja e Farisenjve –fryma e hipokrizisë

Farisenjtë ishin një nga kundërshtarët kryesorë të Jezusit, dhe e shohim gjithmonë në Dhjatën e re sesi Jezusi i quan ata HIPOKRITË. Në fakt kjo lloj majaje përkufizohet në një varg si vet HIPOKRIZIA. Tek Luka 12:1 lexojmë: Ndërkaq u mblodh një turmë me mijëra, saqë shkelnin njeri tjetrin. Jezusi filloi t’u thotë dishepujve të vet: Para së gjithash ruhuni nga majaja e farisenjve, që është hipokrizia.

Por çfarë është hipokrizia?

Perkthimet e ndryshme të kohës Biblike e shpjegojnë këtë fjalë si: Aktrimi i një aktori, mashtrim ose shtirje. Ndërsa fjalori në shqip e përkufizon në këtë mënyrë: Ves i njeriut të keq që hiqet sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur me qëllim që të gënjejë të tjerët; qëndrim me dy faqe, sjellja e njeriut që nuk është i çiltër me të tjerët, që nuk zbulon fytyrën e vërtetë dhe që shtiret, të qenët hipokrit; fjalë, sjellje a diçka tjetër e rreme, që nuk i përgjigjet së vërtetës dhe që synon të mashtrojë të tjerët.

Kjo në fakt përkufizon sesi ishin farisenjtë e asaj kohe. Ata kishin më shumë se 17 karakteristika negative në korrigjimin që Jezusi u dha në Bibël.

Një gjë tjetër që i karakterizonte farisenjtë është lidhja e tyre me paranë. Tek Luka 16:14 lexojmë: Dhe farisenjtë, të cilët ishin shumë të dhënë pas parasë, i dëgjonin të gjitha këto dhe e tallnin. Nuk ka gjë më e shëmtuar për dikë që përfaqëson Perëndinë të jetë i dhënë shumë pas parasë. Është diçka që nuk lidhet fare me Ungjillin e Krishtit. Në fakt apostulli Pal paralajmëron tek 1 Timoteut 6:10Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje.

Pra të jesh i dhënë pas parasë, ta lakmosh atë është rrënja e çdo gjëje te keqe dhe kjo vetëm vërteton natyrën e farisenjve të asaj kohe.

Pra Farisenjtë nuk kishin vetëm hipokrizinë por shumë gjëra të tjera që mësonin. Dhe mbi të gjitha ky stil i të jetuarit përçonte tek populli një formë të rreme të besimit. Kur rrin me hipokritë tendenca është të bëhesh si ata, dhe të kesh marrëdhënie të rreme me të tjerë. Të vish në kishë dhe të shtirresh sikur e do Perëndinë dhe e ndjek Atë, kur në realitet ti nuk e ndjek Perëndinë sepse nuk i bindesh fare Biblës dhe Fjalëve të Krishtit.

Prandaj majaja e Farisenjve ishte e rrezikshme.Ti dhe unë duhet të ruhemi nga çdo formë e shtirjes dhe mashtrimit. Sa herë që i ligu përpiqet të na çojë në atë drejtim ne duhet të lutemi: Perëndi më ndihmo të jem i vërtetë në çdo gjë dhe në të gjitha marrëdhëniet që kam me të tjerët. Të mos shtirem për asnjë gjë dhe të them të vërtetën siç më drejton Ti.

Nëse je prekur nga ky mësim i rremë i hipokrizisë dhe shtirjes në jetën e përditshme dhe në kishë, ka çlirimi për ty.Krishti mund të të çlirojë nga jeta hipokrite dhe të të jap liri të plotë nga mashtrimi dhe shtirja. Kërko ndihmë nga drejtues të krishterë që kanë dëshmi se jetojnë me çiltërsi dhe pastërti sepse vetëm ata mund të të ndihmojnë të dalësh nga mashtrimi i hipokrizisë.


Majaja e Saducenjve – fryma e mosbesimit...

Tek Mateu 22: 23-31, thuhet se saducenjtë thonin se nuk kishte ringjallje. Gjithashtu, Veprat 23: 8 thotë se saducenjtë nuk besonin në engjëj ose në shpirtra. Nëse ata nuk besonin në engjëj ose shpirtra, atëherë pse të besonin në fjalët tjera të Dhiatës së Vjetër?

Saducenjtë ishin njerëz që nuk kuptonin /njihnin Shkrimet dhe as pushtetin e Perëndisë.Ata e testuan Jezusin në lidhje me martesën dhe çfarë do të ndodhte në ringjallje me gruan që pati 7 burra dhe që i vdiqën një nga një. Por tek Mateu 22:29 Jezusi iu përgjigj saducenjve: “Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.

Pra shikojmë disa njerëz që zënë pozita fetare por vendosin t’i heqin Biblës një pjesë të madhe të të vërtetave të saj.Kjo maja, ose ky mësim përpiqet të heq të mbinatyrshmen nga Perëndia dhe mrekullitë që Ai bën. Nëse nuk ka ringjallje atëherë i bie që edhe Krishti nuk është ringjallur dhe se Ai nuk ka ringjallur të tjerët dhe edhe ne nuk do të ringjallemi në ditën e fundit. Pra kjo është të biem dakord me gënjeshtrat e satanit.

Një nga gënjeshtrat kryesore të satanit në botë është t’i thotë botës se ai nuk egziston dhe që satani në vetevete është thjeshtë një shpikje njerezore ose e fesë. Pra këto njerëz kanë mësimin që jeta është vetëm për tani, që duhet të jetosh vetëm tani dhe të kujdesesh për këtë jetë sepse nuk ka një tjetër.

Edhe sot qarkullon kjo maja në botën tonë- quhet ateizm- ku nuk ka jetë pas vdekjes, nuk ka ringjallje prandaj unë mund të jetoj pa frikë dhe të bëj si të dua. Ka nga ata që edhe thonë se mund edhe të besoj se Perëndia egziston por nuk kam nevojë të kem frikë për nje gjykim të fundit ose që do të jap llogari për atë që kam bërë sepse do të zhdukem dhe nuk do të jem më.

Kjo është një nga mësimet më të rrezikshme që qarkullojnë në botë sot, dhe e gjejmë në disa qarqe intelektuale Poashtu e gjejmë në mënyrësn sesi disa sisteme qeverisëse veprojnë dhe e kemi përjetuar edhe në vendet Ballkanike përmes komunizmit. Sot është e përhapur shumë edhe në vendet socialiste ku ‘shteti është nëna’ dhe asaj duhet t’i bindemi, se sa për jetën pas vdekjes nuk kemi pse të shqetësohemi.

Pra këta ishin Saducenjtë- materialistë, pra që besonin vetëm tek materia, ajo që mund të preket dhe tek asgjë frymërore ose e padukshme.

Një i krishterë patjetër që e refuzon këtë lloj mësimi sepse bie ndesh me të vërtetat kryesore të besimit tonë. Ne besojmë në ringjallje, ne besojmë ne Krishtin e ringjallur. Pa ringjallje e gjitha do të ishte pa kuptim. Ne besojmë se edhe trupat tanë do të ringjallen një dite dhe të gjithë ne do të dalim para gjykatës së Krishtit në ditën e fundit ku secili prej nesh ( të krishterët) do të shpërblehet për gjërat që kemi bërë në trup.

Ne besojmë në Engjëjt e Perëndisë dhe krijesat e padukshme. Perëndia shpesh herë na ka mbrojtur nga i ligu përmes këtyre engjëjve dhe jemi të sigurt që pa to ne do të kishim përfunduar në shumë telashe.

Saducenjet paraqisnin edhe aristokracine e pasur hebreje te asaj kohe dhe kishin ndikim per shkak te pasurise qe kishin. Por besimi ne një jetë pas vdekjes do të kërcënonte edhe respektin ndaj tyre si aristokrat, sepse ata qe besojne se Perëndia do t’i shpërblejë, nëse jetojnë sipas vullentit të Tij, nuk varen më nga mendimet e aristokratëve sepse Perëndia zë vendin e respektit kryesor.

A je prekur nga mësimi i rremë se bota e padukshme nuk ekziston? Që nuk ka jetë pas vdekjes? Që nuk do të ketë ringjallje një ditë? Që engjejt dhe djajtë nuk egzistojnë? Që mrekullitë kanë përfunduar? Ka çlirim edhe nga ky mësim i rremë poashtu. Krishti është i gatshëm të të ndihmojë dhe të zbulojë të vërtetat e Shkrimeve dhe të pushtetit të Tij. Ti je i thirrur ta njohësh Atë dhe fuqinë e ringjalljes së Tij.

Majaja e Herodit – fryma e anti-Krishtit

Herodi dhe dinastia e Herodianeve ka të bëj me pjesën politike që sundonte mbi Judenë dhe mbështetej nga Peradoria romake e asaj kohë. Bibla përmend 6 persona të quajtur Herod në Bibël dhe të gjithë janë pjesë e dinastisë së kësaj familjeje. Por në çdo pjesë të Dhjatës së Re ku përmendet, ky emër është i lidhur me përndjekjen, vrasjen ose burgosjen e Jezusit ose njerëzve të Perëndisë.

Pra majaja e Herodit është mësimi kundër Krishtit, kundër çdo gjëje që është e drejtë dhe e perëndishme në këtë botë. Mund ta identifikojmë shumë më lehtë me frymën e anti- Krishtit që është prezente edhe sot, që nxjerr kokën sa herë që dëgjon që dikush është i krishterë ose kur të krishterët bëjnë një gjë e mirë. Kjo frymë e ngre kokën dhe e përndjek ose e përqesh dhe kundërshton të krishterët kudo që i takon.

Jam i sigurt që herët ose vonë secili prej nesh që besojmë tek Krishti do të ndeshemi me këtë mësim dhe do të përjetojmë ligësinë e kësja fryme.

Që nga lindja e Krishtin majaja e Herodit ishte duke punuar. Si? Herodi u përpoq që ta vdiste menjehere, sepse nuk duronte që të kishte një Mbret tjetër përveç tij. Pra ky lloj mësimi do t’i mbaj njerëzit në errësirë sepse ashtu mund t’i kontrolloj më lehtë. Nëse njerëzit e pranojnë Jezusin do të jenë në dritë (dhe është vështirë të kontrollosh njerëzit e ndriçuar).

Jezusi e quajti këtë lloj fryme dinake - dhelpër. Sepse ajo është edhe frymë oportuniste- shikon si t’i shfrytëzoj të tjerët për të mirën e vetes. Tek Luka 13:31-33 lexojmë: Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: “Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë.” Dhe ai u përgjigj atyre: “Shkoni e i thoni asaj dhelpre: "Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime". Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit.

Kjo frymë vepron në shumë qeveri në botë - pothuajse pa përjashtim - edhe në ato qeveri që i quajmë demokratike dhe përpiqen të na ngulin thonjët pas shpine- duke na sugjeruar ligje të drejta në njërën anë dhe të pamoralshme nga ana tjetër (në një pako) dhe na thonë duhet t’i pranoni ato që të bëheni pjesë e botës së civilizuar! Kjo nuk është civilizim por çmenduri. Në veçanti ligjet e fundit që kanë të bëjnë me gjininë dhe me ripërkufizimin e martesës. Unë ende besoj që : Baba mund të jetë vetëm një burrë- dhe nënë mund të jetë vetëm një grua- të thuash ndryshe është të detyrosh njeriun normal të budalleps veten.

Kjo frymë sulmon Krishtin

Tek Mateu 2:16 Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës të cilën e kishte hetuar me kujdes nga Dijetarët.

Kjo frymë përndjek kishën

Tek Veprat e Apostujve 12:1-5 lexojmë...
Dhe në atë kohë mbreti Herod filloi të përndjekë disa nga kisha. Dhe e vrau me shpatë Jakobin, vëllain e Gjonit. Dhe, duke parë se kjo u pëlqente Judenjve, urdhëroi të arrestohet edhe Pjetri (ishin ditët e të Ndormëve). Mbasi e arrestoi, e futi në burg dhe ua besoi ruajtjen e tij katër skuadrave, me nga katër ushtarë secila, duke menduar ta nxjerrë para popullit mbas Pashkës. Por, ndërsa Pjetrin e ruanin në burg, nga ana e kishës bënin lutje të vazhdueshme te Perëndia për të.

Kjo frymë përndjek shërbëtorët e Perëndisë

Tek Mateu 14:3 – arrestoi Gjon Pagezorin..Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.

Tek Luka 23:8 shikojmë një reagim të Herodit kur e takon Jezusin... Kur Herodi pa Jezusin, u gëzua shumë; prej shumë kohësh ai donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar shumë për të dhe shpresonte të shihte ndonjë mrekulli të kryer prej tij.Pra shikojmë që Herodi donte të argëtohej nga Jezusi..Tek Luk 23:11 shikojmë Herodin të tallet me Jezusin...Kjo dhelpra e vjetër oportuniste...Atëherë Herodi, me ushtarët e vet, mbasi e fyu dhe e talli, e veshi me një rrobe të shkëlqyeshme dhe ia riktheu Pilatit.

Ajo që më preku më shumë në këtë varg është që Jezusi, me gjithë famën që kishte dhe turmat që e kanë ndjekur nuk ka kerkuar për asnjë moment ta takonte Mbretin e Judesë. Pra për Jezusin ky njeri nuk kishte fare rëndësi sepse ishte njeri i keq nga një linjë keqbërësish, që nuk i interesonte populli fare por vetëm shfrytëzimi i pozitës së tij të korruptuar. Ky është një mësim në vete për ta shtjelluar.


Dhe sot Kisha në përgjithësi në botë e shikon si privilegj që të ftohen në një drekë/ darkë me udhëheqësit ose në njëfarë mënyre pret një miratim nga udhëheqësit e vendit, sikur ata janë aq të rëndësishëm për kishën.

Jezusi mendon ndryshe! Për Jezusin njerëzit kanë rëndësi të varfërit, të sëmurët, të dobëtit dhe të përndjekurit. Për ta erdhi që në fillim- jo për njerëzit në pozita dhe njerëzit që kërkojnë pushtet, sepse këto lloj njerëzish janë ata që shpeshherë e kanë përndjekur kishën dhe e kanë përqeshur emrin e Shenjtë të Jezusit me të cilin ne thirremi.

Jezusi vdiq për të gjithë por nuk ka nevojë t’i shkoj pas pushtetarëve sepse Ai vet është Pushteti Kryesor. Dhe kisha duhet ta kuptojë njëherë e mirë që nuk varet nga pushteti lokal ose nga pushtete botërore sepse mbi kishën sundon Pushteti mbi çdo pushtet tjetër dhe Atij ne duhet t’i japim llogari dhe bindjen që i përket.

Pra majaja e Herodit ka të bëjë me frymën që është kundër Krishtit, me frymën që ul poshtë dhe e fyen dhe e tall atë që beson tek Ai. Kjo është fryma e botës dhe nga kjo duhet të kemi kujdes - çdo gjë që ul poshtë besimin tonë ne nuk duhet ta shikojmë.

A keni vënë re sesi nëpër filma dhe seriale ka zakonisht një prift që është ose imoral ose gënjeshtar etj etj vetëm e vetëm për të ulur poshte Emrin e Zotit Jezus? Ose ka karaktere që kurvërohen, vrasin dhe përgojojnë dhe të dielen ikin nëpër kisha.

Në kohën e komunizmit propaganda komuniste kishte karaktere në filma të tyre që portretizonin besimin në Zot nga njerëz të lig dhe të këqinj?

Kush i shkruante këto skenare? Kush i ka shkruar këto tekste? Janë persona që e urrejnë kishën dhe Krishtin dhe çdo gjë që ka të bëjë me atë që është e shenjtë edhe e drejtë.

Majaja e Herodit është kudo në botë sot duke ulur poshtë dhe përqeshur të krishterët. Që nga platforma e Holivudit e deri tek majat e qeverive botërore, atë e gjejmë kudo.

Kjo lojë nuk bëhet me fetë e tjera se ato të vrasin në vend. Por me të krishterët ndodh, sepse Krishterimi nuk është besim i vrasjes dhe urrejtjes por i paqes dhe dashurisë.

A je prekur nga majaja e Herodit, nga fryma e anti- Krishtit dhe fryma e botës? Mos e lejo më të tallet me ty – kundërshtoje këtë frymë ashtu si Krishti e kundërshtoi këtë dhelpër dinake dhe mos bini pre e mashtrimeve dhe dinakërisë së njerëzve oportunistë që zënë pozitat qeveritare sot.

Merruni me ata që Krishti erdhi t’i shpëtojë dhe do të shikoni dorën e Tij shpëtuese në veprim.

Një gjë që është e rëndësishme të kujtojmë është që Krishti vazhdimisht ka qenë i sulmuar nga doktrinat e rreme të identifikuara më sipër. Tek Vep 4:27 shikojmë forcat që u kthyen kundër Jezusit kur ai ishte në tokë..Lexoni vargun me kujdes: Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën:

1 - Herodi – (drejtues lokal)

2- Ponc Pilati – (drejtues boteror) me

3 -johebrenjtë –( kombet pagane) dhe me

4 -popullin e Izraelit – (kombi i Zotit)..

Pra kundërshtarët e Jezusit ishin të shumtë. Jezusi nuk e ka pasur lehtë sepse ka qene i rrethuar nga njerëz të brymosur nga këto maja... Letra e Hebrenjve 12:3 na thotë të... Kujtoni, pra, Atë (Jezusin) që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.

Por si u lut kisha e parë? Tek Veprat e Apostujve 4:29-31 lexojmë:

Dhe tani, Zot, shqyrto kërcënimet e tyre dhe lejo që shërbëtorët e tu të kumtojnë fjalën tënde me plot çiltërsi (guxim), duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit.”

Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltersi.

Pra kisha edhe në lutje kundërshtoi këto mësime të rreme përmes çiltërsisë ( e kundërta e hipokrizisë) përmes shenjave dhe mrekullive ( e kundërta e frymës së mosbesimit) dhe në Emrin e Jezusit ( që është emri mbi çdo emër dhe pushtet)

Tani arrijmë tek Apostulli Pal dhe mënyrën sesi ai përmend dy herë majanë:

1. Majaja e ligësisë dhe keqësisë

2. Majaja e skllavërisë (e shfajësimit më anë të Ligjit)

Majaja e mëkatit

Tek 1 e Korintasve 5:6-8 lexojmë: Mburrja juaj nuk është e mirë. A nuk e dini se pak maja e mbrun gjithë brumin? Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa maja; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.Prandaj le të kremtojmë festën jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës.

Në rastin e Palit kemi të bëjmë me një mëkat të kurvërisë në kishë, ku një njeri brenda kishës shkonte me gruan e babait të tij. Apostulli Pali udhëzon drejtuesit e kishës që të merren me mëkatin duke e përjashtuar personin e tillë nga bashkësia.

Tek 1 e Korintasve 6:18 lexojmë: Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.

Mendoj që majaja këtu ka të bëj me mëkate që dëmtojnë gjithë kishën. Është një stil jetese që është në kundërshtim me Biblën dhe doktrinën e shëndoshë. Pra nëse ne nuk merremi me mëkate serioze në kishë, ai mëkat do të ndikojë në gjithë kishën dhe do ta infektoj trupin. Pra nëse ne lejomë majanë e ligësisë dhe keqësisë të qëndrojë pa u korigjuar së shpejti kisha do të infektohet dhe të gjithë do ta shikojnë atë mëkat si diçka e lejuar dhe e pranuar, dhe të tjerët do të fillojnë ta imitojnë edhe pse është gabim.

Perëndia urdhëron që mëkati të kundërshtohet haptazi dhe të mos lihet të vazhdojë në fshehtësi.

A keni parë dikë në kishë që haptazi jeton në mëkat dhe bën gjëra që Perëndia i kundërshton? Bibla thotë që duhet të shkojmë dhe të flasim me atë person. Nëse na dëgjon dhe pendohet, ne e kemi fituar të ligun. Nëse nuk pranon Bibla thotë: merr nje vëlla ose motër dhe foli prap personit që mëkaton. Nëse nuk pranon të ndryshoj thuaji kishës në fund (pra drejtuesve) që të merren masa ndaj tyre.

Pra ka një mënyrë sesi të merresh me majanë e mëkatit – dhe secili prej nesh duhet të kemi kujdes nga kjo maja sepse ajo fëlliq gjithë trupin (sepse ky është qëllimi i kësaj majaje).

A je i prekur nga ky mësim i rremë? A mendon se mund të jetosh në mëkat dhe të vazhdosh të shkosh në kishë? A beson që Perëndia nuk sheh këtë stil të gabuar të të jetuarit tënd? Krishti të çliron nga çdo mëkat nëse je gati të pendohesh dhe kthesh rrugë. Kisha është një vend që mirëpret mëkatarët që nuk njohin ende Krishtin por nuk mirëpret besimtarë të krishterë që kundërshtojnë me vullnet të plotë Fjalët dhe Urdhërimet e Perëndisë. Këta besimtarë kisha është e thirrur t’i kundërshtoj haptazi dhe t’i qortoj në shpresë që të vijnë në vete dhe pendohen për ligësinë dhe keqësinë e tyre.

Dhe e fundit në këtë listë është:

Majaja e skllavërisë – ose e doktrines se rreme të shfajësimit përmes Ligjit.

Tek letra e Galatasve 5:1-9 lexojmë:

Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.

2 Ja, unë, Pali, po ju them se, në qoftë se rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju bëjë dobi aspak.

3 Edhe i dëshmoj përsëri çdo njeriu që rrethpritet, se ai është i detyruar të zbatojë mbarë ligjin.

4 Ju që kërkoni të shfajësoheni me anë të ligjit, jeni ndarë nga Krishti; ratë poshtë nga hiri.

5 Ne në fakt në Frymë, nëpërmjet besimit presim shpresën e drejtësisë,

6 sepse në Jezu Krishtin, as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por besimi që vepron me anë dashurie.

7 Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?

8 Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret.

9 Pak maja e bën të vijë gjithë brumin.

Për çfarë majaje po flet Pali këtu? Kjo maja që e ndikon gjithë brumin është mësimi që thotë që ne mund të shfajësohemi duke bërë veprat e ligjit dhe jo përmes besimit tek Krishti. Dhe kjo është një doktrinë ose mësim i rremë që pengon besimtarin të jetoj në lirinë e Krishtit.

Pra sa herë që dikush na thotë që përmes veprave do të pranohemi nga Perëndia, këta na bëjnë të anulojmë hirin e Perëndisë. Kjo është një temë më vete por duhet ta përmend sepse kushdo që nuk formohet në hirin e Perëndisë ka mundësi të bjer pre e kësaj majaje të keqe që sulmon kishat – pra është një maja brenda kishave dhe jo jashtë tyre, ndaj të jemi edhe më vigjilent.

Si e dimë që jemi prekur nga kjo doktrinë e rreme? Kur hiri dhe e vërteta mungojnë në kishat tona. Kur u themi njerëzve që duhet të bëjnë veprat e Ligjit që të shpëtohen dhe duhet të vazhdojnë këto vepra që të ruajnë shpëtimin e tyre – këto janë shenja të kësaj doktrine të rreme.

Nëse ne biejmë nga hiri ne ndahemi nga Krishti dhe ajo çfarë na ngelet është Ligji i Perëndisë dhe siç tha një profet- Ligji është si një burrë i keq, që të thotë çfarë duhet të bësh dhe nuk të ndihmon fare!

Pra ne nuk mund të shfajësohemi nga veprat e Ligjit - Krishti i përmbushi të gjitha kërkesat e Ligjit të Perëndisë dhe ne jemi përftuesit e kësaj vepre - por ne nuk shfajësohemi dot me anë të Ligjit sepse Ligji është dizejnuar të na çojë tek Krishti - jo të na mbaj për vete.

Pra kjo maja është maja e rrezikshme sepse na largon nga hiri i Krishtit, nga dashuria e Tij dhe mirësia e Tij që na ka dhënë falas. Shpëtimi është falas, shfajësimi është falas, e vetmja gjë që duhet të bëjmë është të besojmë dhe ta pranojmë Atë me gjithë zemër.

Ta humbasësh këtë doktrinë - pra të shfajësimit përmes besimit është ta humbasësh ungjillin në një mënyrë.

A je prekur nga ungjilli i rremë? A po kërkon t’i pëlqesh Perëndisë përmes veprave të Ligjit apo nëpërmjet besimit tek Jezusi? Nëse je prekur nga ky mësim i rremë, ka shpresë për ty. Krishti është gati të të sigurojë në dashurinë dhe hirin e Tij për ty. Ai të do dhe të pranon ashtu siç je dhe hiri i Tij do të fuqizojë që t’i bindemi Atij çdo ditë. Është fuqia e Tij që na mban dhe jo fuqia jonë. Është dashuria e Tij që na shtrëngon dhe jo dashuria jonë. Ka shpresë për secilin prej nesh.


Sot pamë pesë paketime të majasë në Bibël. Secila prej tyre është e rrezikshme dhe mund të na brymos shumë shpejt nëse nuk jemi të kujdesshëm.

PRA si mundemi ne praktikisht të ruhemi nga këto mësime?

E para, duke pasur kujdes për portat drejt zemrës sate - çfarë po shikon dhe çfarë po dëgjon dhe kë po lejon të të ndikoj dhe me çfarë. Ti je rojtari i zemrës tënde. Ti je përgjegjësi për ato që lejon të futen në zemrën tënde dhe të ndikojnë tek ti. Më vjen shumë keq për këtë gjeneratë që sot po rritet me celularë sepse brenda këtyre pajisjeve i ligu po punon 24/7 për t’i dëmtuar të rinjtë me majanë e tij të ligësisë duke i bërë pre të aplikacioneve që janë shumë të dëmshme për zhvillimin e tyre si persona të drejtë dhe të pastër.

Dhe prindërit kanë një konkurence të papërballueshme kur krahasohen me celularin, sepse prindi nuk është argëtuesi në shtëpi por edukatori dhe ndikuesi parësor tek fëmija i tij. Prandaj ne si prindër kemi përgjegjësinë që t’i mësojmë fëmijët sesi të kujdesen për ndikimet negative që përpiqen të shkatërrojnë fëmijërinë, adoleshencën dhe jetën e tyre. Pajisjet digjitale krijojnë varësi prandaj të mos genjejmë fëmijët me to.

E dyta, forcohuni në hirin që është në Krishtin, pra studioni mbi temën e hirit dhe shfajësimit përmes besimit dhe jo veprave (Letra e Romakeve - Letra e Galatasve)... miqesohuni me këtë mësim dhe rrituni në njohurinë e kësaj zbulese të rëndësishme.

E treta, lexoni sërish këtë mësim. Ndoshta nuk i kapni të gjitha me një të lexuar dhe keni nevojë të dëgjoni sërish Fjalën e predikuar që të kapni gjërat që mund të mos i keni kuptuar herën e parë. Ridëgjimi ose rileximi i një mesazhi mund të ndihmojë të mbash mend pikat e rëndësishme që theksohen. Asnjë mësim nuk i përfshin të gjitha por vetëm pjesë të së vërtetës ndaj duhet të lexojmë dhe dëgjojmë më shume.

Popular posts from this blog

Kujdes çfarë dëgjoni!

Secili prej nesh këto ditë për shkak të karantinës duket se jemi të detyruar në një mënyrë ose tjetër të mendojmë se si do ta përdorim gjithë atë kohë që e kemi në dispozicion. Kjo përfshin shumë njerëz të cilët janë brenda shtëpive të tyre dhe ndoshta nuk e ushtrojnë dot profesionin nga shtëpia. Në po të njëjtin grup janë edhe ata të papunë dhe të rinj që  tani kanë më shumë kohë në dispozicion për të harxhuar. Por çfarë ndodh me njeriun i cili është i mbyllur brenda për një kohë të gjatë. Ai/ajo do të shikojë për mënyra për të dalë jashtë ambientit ku ndodhet. Dhe nëse jeton në një pallat, ku mundësia për pak ajër mund të jetë ballkoni, atëherë ngelet që çdo gjë mediatike mund të na tundoj si një der ë për të dalë jasht ë . Kjo është dalja me e shpejtë nga realiteti dhe celularët, tabletat, televizori dhe kompjuteri duken si mundësitë më të shpejta për k ët ë gj ë. Por në vend që të marrim ajër të pastër ose të pushojmë sytë nga bukuria e krijimit, bota virtuale nuk m

Skllaveria e diteve te sotme dhe Shabati Biblik

" Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënden, ‎por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite ASNJË punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja...asnjë nga kafshët e tua...me qëllim që....të çlodhen si ti.  Ligji i Përtërirë 5:13-15 ‎Të punosh çdo ditë, siç ndodh në shumë biznese shqiptare është modeli skllavërues i kohës së lashtë të Egjiptit. Kjo kulturë e pangopësisë ndaj lekut përpiqet të hyjë në bashkësinë e shenjtë të shenjtorëve, e maskuar si "sakrificë për Zotin" por duhet kujtuar sërish që Perëndia asnjëherë nuk e shkel Fjalën e Tij. ‎Çlodhja jote është po aq e rëndësishme sa edhe puna që bën. A nuk po përparojnë spitalet dhe klinikat në vendin tonë pikërisht nga kjo murtajë që është në mes nesh, kjo e punuar nga e hëna deri të dielë, që privon shqiptarët nga çlodhja kaq e nevojshme, dhe nga koha me familjet dhe fëmijët e tyre, që

Jezusi dhe Jerusalemi

'Jerusalem...që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët !' Mateu 23:37 ‎Pushteti më i madh që njeriu ka në dorë është vullneti i tij personal. Ti e ke, unë e kam, të gjithë njerëzit e kanë një të tillë. Në fakt është një dhuratë nga vet Perëndia që, nëse përdoret siç duhet, na ndihmon të kalojmë përjetësinë me Të. Por është aq i rrezikshëm gjithashtu, nëse e përdorim gabimisht, sepse mund të na çoj drejtpërdrejt në Ferr! ‎Këtë vullnet të lirë njerëzit e kanë përdorur për të mirën e të tjerëve ose për skllavërimin e tyre. Mbi këtë vullnet të lirë nuk ka pushtet askush përveç teje për ta përdorur për të mirën më të lartë. Je ti ai ose ajo që vendos mënyrën sesi e përdor atë. Vendimet që ti i merr me vullnetin tënd të lirë ndikojnë jo vetëm tek ti por edhe tek partneri yt jetësor, tek fëmijët e tu, tek familja jote e gjërë, komuniteti yt si