Libri
“ Jeta Ime” nga Sevasti Qiriazi – Dako
Rrallë
herë më ndodh që pasi të kem lexuar një libër të kem një dëshirë të thellë për
të shkruar mbi të, thjeshtë si një mirënjohje ndaj autorit për frymëzimin ose
ndikimin që lanë tek unë me veprën e tyre. E di që jam shumë vonë për ta bërë këtë
në rastin e Sevastisë, duke qenë që ajo nuk rron më, por prapseprap nuk e shtyj
dot këtë ndjesi që pata pasi e lexova jetëshkrimin e saj kaq mbresëlënës.
Së pari një falenderim shkon për ata që punuan
dhe e përgatitën për botim këtë vepër të rrallë me vlerë të jashtëzakonshme për
popullin tonë dhe për çdo atdhedashës sepse materiali në fjalë nuk është vetëm
autobiografi por është edhe histori, edhe gjeografi, kulturë, është trashëgimi
dhe një vepër që do ta bëj krenar këdo që është shqiptar sepse vepra në fjalë
mishëron frymën shqiptare të vërtetë, dashurinë për kombin dhe për atdheun dhe për
gjuhën shqipe. Puna e zonjës Dana Stucky dhe grupit të punës që e ndihmoi atë është
vërtetë për tu admiruar dhe i jam shumë mirënjohës atyre që harxhuan kohën dhe
mundin e tyre për ta sjellë këtë vepër në duar të lexuesve shqiptarë dhe të
huaj (sepse mund ta blini edhe në anglisht) përmes Institutit për Studime
Shqiptare dhe Protestante. Në fakt kam vendosur që miqve të mi të huaj tua jap
këtë libër si dhuratë sepse do të ishte pikërisht kjo ndjesi për shqiptarët që
do të doja ta kishin kur largoheshin nga Shqipëria, sepse jo çdo shqiptar mishëron
frymën shqiptare, ashtu siç ndodh edhe me kombet e tjera. Por jeta e familjes
Qiriazi dhe në këtë rast të Sevastisë është vërtetë një pasqyre e një familjeje
të vërtetë shqiptare që sakrifikoi kaq shume për kombin tonë dhe për ndriqimin
e tij në rrugë drejtë pavarësisë jo vetëm territoriale por edhe gjuhësore dhe
shpirtërore. Dana Stucky thotë për librin: “ Le të mbetet kjo histori e
sakrificës për të tjerët frymëzim dhe edukim për brezin e ri të heronjve
shqiptarë.”
Pikërisht
kjo histori duhet lexuar që të mund ta kuptoni një dimension të një heroine
shqiptare që bëri diçka që askush më parë nuk e bëri, që luftoi me dy forca kundërshtuese
të Shqipërisë të asaj kohe që nuk i rezistuan shtete të tëra dhe doli fitimtare
në brezin e saj.
Është
pikërisht kjo frymë që e përshkruan tërë këtë vepër të saj dhe fillon me një thënie
tek kapitulli i parë: UNË JAM SHQIPTARE.
Të
fillosh një jetëshkrim me këto fjalë tregon një kuptim të qartë identiteti në
një kohë kur pikërisht armiqtë e shqiptarëve po përpiqeshin të zhduknin këtë
identitet duke shtyrë me forcë që populli ynë të shkollohej në gjuhën turke, arabe
ose greke. Në ditët e sotme kjo mund të duket jo edhe aq e rëndësishme sepse
populli ynë tashmë ka fituar pavarsinë dhe nuk vuan nga kompleksi i identitetit
kombëtar, por në vitet që kjo është shkruar nuk ishte kështu. Presioni për tu
identifikuar si joshqiptarë ishte i vazhdueshëm dhe rezistenca e familjes
Qiriazi së bashku me shumë atdhedashës të tjerë tregon frymën e vërtetë
shqiptare, që nuk iu dorëzua armiqve të saj përgjatë shumë brezave në histori.
Por koha para pavarësisë së Shqipërisë dhe momenti historik në të cilën jetuan
brezi i Sevastisë dhe familjes së saj është një brez vendimtar në vendosjen e drejtimit
se ku do të shkonte kombi ynë dhe si do të përfundonte çështja e gjuhës sonë
dhe kufinjve tanë.
Libri
hedh dritë mbi disa të vërteta historike që ndoshta shumë shqiptarë nuk i kanë
lexuar kurrë dhe duke qenë se autorja ka qenë e mirëedukuar, dhe gruaja e para
shqiptare që ka mbaruar edukimin universitar, kjo biografi është një thesar i
rrallë që fatmirësisht është sot në duart tona për ta studiuar dhe për të marr
një tabllo më të qartë të kësaj pjesë të historisë së Shqipërisë që nuk ka shumë
dritë.
Thjeshtë
një fakt kur autorja përshkruan qytetin e Korçës me numrin e banorëve, me përkatësinë
e tyre fetare, më shkollat dhe edukimin në vend të jep një pamje më të qartë edhe
nga ana demografike dhe gjeo-politike të vendit dhe shqiptarëve të atyre viteve.
Libri
ka shumë elemente të jetës familjare shqiptare, sepse Sevastia mbi të gjitha përshkruan
familjen e saj, vëllezërit dhe motrat, prindërit, prejardhjen e tyre, largimin
për në Manastir për shkak të përndjekjes, dashurinë që kishte përjetuar nga
familja e saj dhe shumë gjëra të tjera interesante që do ta bëjnë lexuesin të
bie në dashuri sërish me vlerat e mëdha të familjes shqiptare dhe të kombit tonë
në përgjithësi. Duke qenë se po jetojmë në një kohë ku shumë prej këtyre
vlerave po humbin disa ndoshta do ti lexojnë këto gjëra dhe do t’u duket sikur vlerat
e tilla janë vetëm për brezat që shkuan dhe jo më për ne. Prandaj edhe leximi i
këtij libri do të shërbej për të mirë edhe në këtë aspekt – që vlerat shqiptare
mbeten të tilla dhe janë për secilën gjeneratë që do t’i përvehtësoj.
Historia
e Gjergj Kastriotit rrëfehet nga goja e babait të saj dhe për disa prej nesh
duket sikur po na e tregon edhe neve sërish së bashku me ta, duke bërë këtë
histori te gjallë sërish në mesin tonë, ashtu siç e dëgjuan fëmijët shqiptarë nëj
shekull para nesh! Edhe pse populli shqiptar ishte vazhdimisht nën kërcënimin
otoman drejt shkombëtarizimit të tij, duket qartë nga vëzhgimi i autores që
familjet shqiptare e ruanin frymën atëdhedashëse brenda vatrave të tyre duke
frymëzuar kalamajtë e tyre se jemi bijtë e Shqipërisë dhe do të luftojmë për të
drejtat e kombit tonë.
Historia
e familjes Qiriazi, prindërve të Sevastisë dhe vëllezërve të saj Gjerasimit dhe
Gjergjit, sakrificat e tyre, humbja e pasurisë dhe fillimi i jetës së re në
Manastir, historia e “parave të bardha për ditët e zeza” janë disa nga gurët e
çmuar të këtij libri që tregojnë një dashuri të pastër dhe plot sakrifica si dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm për
ta ruajtur familjen dhe për të bërë të pamundurën që ata të ishin të sigurt dhe
të ecnin përpara.
Familja
e Sevastisë ra në kontakt me misionarët amerikanë që në atë kohë ndodheshin në Manastir dhe banonin në
shtëpinë ngjitur me ta. Aty ata kishin një shkollë si dhe bënëin shërbesat e së
Dieles. Amerikani i mirë, siç quhej Z. Xheni tregoi kujdes të veçantë për
Sevastinë kur ajo ishte fëmijë dhe e sëmurë nga ethet e malaries. Këtu si duket
fillon edhe pjesa e historisë së njohjes me ungjillorët e parë nga ana e kësaj
familjeje. Në fakt këtu tek kjo shkollë e tyre filloi të shkonte edhe Sevastia.
Gjerasimi filloi të njihej me z.Xheni më shumë sepse ky i bëri ftesë për të
marrë mësime anglishteje. Kjo pjesë e historisë së Gjerasimit është pjesa
vendimtare që i jep drejtim jetës së Sevastisë sepse është më se e qartë nga
libri që Gjerasimi ishte personi kyç që ndikoi në trajektoren jetësore të
Sevastisë. Ishte ai, që pasi vet u shkollua dhe mori arsimimin në shkollë
amerikane, insistoi dhe bëri rrugë që Sevastia të mbaronte universitetin dhe të
bëhej ajo që edhe u bë, mësuesja e parë shqiptare që edukoi vajzat shqiptare në
gjuhën shqipe.
Për
të thotë Sevastia “ Ai (Gjerasimi) u kujdes në mënyrë të posaçme që të më
nguliste në mendje vlerën e vërtetë të shkollimit dhe nevojën për të punuar për ndriçimin dhe mëkëmbjen e
popullit tonë. Ai ishte njeriu që më mësoi të shkruaja dhe të lexoja gjuhën e nënës.
Fryma e patriotizmit që ai mbolli në zemrën time hodhi rrënjë të thella dhe dha
fryte në vitet e mëvonshme”. Ose në një rast tjetër shkruan “ Gjerasimi
interesohej shumë për studimet e mia dhe ndiqte me vëmendje përparimin tim.
Qysh në fillim ai po më mbrunte dhe po më mësonte të shihja vlerën e një jete të
arsimuar dhe të dobishme. Ai më tregonte histori nga udhëtimet e tij nëpër
Shqipëri, të cilat më jepnin një tablo të gjallë të jetës dhe të kushteve të
jetesës së djemve e vajzave në vendin tonë dhe më tërhiqte vëmendjen drejt
nevojave të tyre të mëdha.”..Më vonë shkruan për edukimin e saj në kolegj : “ E
kujtoj si një nga bekimet e mëdha të jetës sime ditën kur vëllai më njoftoi se
e kishte rregulluar që unë të vazhdoja studimet e mia në Kolegjin e vashave në
Konstatinopojë. Ishte vërtetë një ngjarje e madhe sepse unë isha shqiptarja e
parë që mbaronte kolegj.”
Ky
libër ka shumë histori prekëse, përshkruan një luftë të ashpër me autoritetet
turke dhe klerit grek për ta hapur shkollën dhe për të vazhduar mësimin në gjuhën
shqipe në Korçë. Sevastia së bashku me Parashqevinë kanë pjesë të ndryshme në këtë
jetëshkrim që tregojnë një dashuri midis tyre dhe një besnikëri të jashtëzakonshme
ndaj misionit të tyre hyjnor për të ndriçuar kombin shqiptar. Shkollimi i tyre
në shkollat amerikane të asaj kohe dhe besimi i tyre ungjillor si dhe ndikimi i
komunitetit misionar protestant përgjatë këtij rrugëtimi fisnik, ka lënë një
trashëgimi kaq të pasur jo vetëm popullit tonë shqiptar por edhe komunitetit
ungjillor në Shqipëri dhe kjo familje është fillesa e bekuar e besimit
ungjillor shqiptar.
Jam
shumë krenar që ky libër është sot në libraritë tona. Nuk dua të harxhoj më
shumë kohë duke përshkruar atë që mund ta lexoni vet në kohën tuaj dhe të kënaqeni
me historitë dhe heroizmin e kësaj gruaje dhe familjes së saj. Edhe pse
historia nuk ka një përfundim të mirë, ashtu siç do të donim të dëgjonim për
heronjtë tanë, në rastin e Sevastisë është vepra e saj ajo që na frymëzon dhe
mbetet gjallë. Kjo familje i ka dhënë shumë historisë sonë kombëtare dhe aq më
tepër neve që jemi ungjillorë për nga besimi.
Të
shkruash shqip, të flasësh shqip, të kesh libra në shqip dhe t’i edukosh vajzat
( që në shekullin 19 ishte diçka e
paimagjinueshme për vajzat në trevat tona për shkak të mentalitetit dhe armiqve
tanë) janë vlera që jo vetëm ne por edhe të gjitha kombet përreth i admirojnë.
Janë cilësi hyjnore që vetëm dikush që e do kombin me dashurinë e Perëndisë
mund t’i përçojë dhe të sakrifikojë për to.
Jetëshkrimin
“ Jeta Ime” mund ta lexoni me një frymë. Është nga ato biografi kaq bukur të përpiluara
saqë po të ishte gjallë Sevastia sot, me siguri do të merrte një çmim për mënyrën
sesi e ka përçuar mesazhin e saj. Ju inkurajoj ta blini dhe ta lexoni dhe
pastaj tua jepni edhe të tjerëve. Ndërsa për të huajt që njihni, mund tua bëni
edhe dhuratë. Ky libër do të ishte një pamje më reale e shpirtit shqiptar që për
fat të keq shumë më shpesh ka filluar të mungojë në mesin tonë. Por për
shqiptarët e vërtetë këto vlera janë akoma gjallë: besë, shpresë dhe dashuri.
Ju uroj një lexim të këndshëm!
______________________________________________________________________________
Thëniet
e Sevasti Qiriazi Dakos në këtë libër që më frymëzuan:
“I quaj heronj ata që sakrifikojnë veten
për hir të të tjerëve dhe jo ata që sakrifikojnë të tjerët për hir të vetes.”
“Nuk kam asnjë ndjesi të keqe dhe as
edhe ndonjë dëshirë për tu shkaktuar dhimbje të tjerëve. Nëse faktet e mia
shkaktojnë dhimbje, nuk është faji im. Është faji i atyre që i bënë të këqijat
dhe tejshpuan zemrat e të pafajshmëve.”
“Hakmarrja është një mallkim i vërtetë
pasi i rrëmben vendit lulen e rinisë së tij dhe shkakton shumë mjerim.”
“Kam vendosur t’ia kushtoj jetën
ndriçimit dhe mëkëmbjes së motrave të mia shqiptare.”
“Duke dhënë mësim ne nxëmë më tepër.”
“Çdo gjë fillon me ide.”
“Asnjë vepër e mirë nuk ikën pa lënë
gjurmë. Perëndia e shumëfishon farën e mirë dhe i shton frytet e drejtësisë.”
“Unë besoj se asnjë vajzë nuk mund të
arsimohet pa zhvilluar edhe natyrën e saj morale dhe se, ndërsa pjesët e tjera
të zhvillimit të saj janë të mira dhe të nderuara, më e larta cilësi ndër to është
karakteri moral.”