'Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve...'
Hebrenjve 1:1
Ndërsa shikoj librin drejtuar Hebrenjve kujtoj sa herë Perëndia më ka folur dhe në mënyra të ndryshme përgjatë këtyre 27 viteve besimi. Po përmend disa prej tyre si rifreskim:
1.)Përmes besimtarëve të kishës që më folën për Jezusin. Ky ishte kontakti i parë me dashurinë e Perëndisë.
2.)Përmes Biblës. Ende pa e kuptuar lajmin e mirë fillova ta lexoj Biblën dhe Perëndia filloi të më fliste përmes Shkrimeve të Shenjta.
3.)Përmes pastorit. Ende kujtoj predikim e pare që kam dëgjuar para 27 vitesh! Fjala e predikuar është e fuqishme për të prekur zemrat tona.
4.)Përmes këngëve të adhurimit. Sa herë kam dëgjuar inkurajimin e Frymës së Perëndisë përmes muzikës së adhurimit në kishë ose në cd, celular ose media të ndryshme.
5.) Përmes miqve të mi të krishterë. Sa herë më ka inkurajuar Perëndia përmes miqve në kishë, nuk i numëroj dot! Ata janë një thesar i çmuar për mua.
6.) Përmes bekimeve të ndryshme që kam përjetuar. Perëndia lë gjurmët e Tij në bollëkun e të mirave që siguron për ne..të tilla bekime vazhdoj ende t'i shijoj edhe sot që jam rrugës për në Washington!
7.)Përmes Fjalëve të Jezusit në Dhjatën e Re.
Sa herë që kam nevojë për nje 'detox' frymëror lexoj Fjalët e Jezusit pa ndalim. Më duket sikur Jezusi më flet drejtëpërdrejtë mua...
8.) Përmes Frymës së Shenjtë. Fryma e Shenjtë na flet në njeriun tonë të brendshëm, prek ndërgjegjen tonë dhe na udhëzon në rrugën e duhur. Më ka ndodhur disa herë që një përshpëritje e Tij, një 'po' ose një 'jo' më ka shpëtuar nga budallallëku im dhe nga problemet e ndryshme.
9.)Përmes shërbesave të krishtera dhe librave të tyre. Ngaqë lexoj shumë, librat janë mënyra më e shpeshtë që Zoti përdor për t'më folur dhe nxitur. Libri është kënaqësia ime. Më parë do të rrija me orë të tëra në një librari ose bibliotekë sesa kudo tjetër!
Po ju?
Jam i sigurtë që keni mënyra të tjera sesi Perëndia ju flet. Ndani ato me të tjerë sepse mund t'i nxisni në ecjen e tyre me Zotin....
________________________________________________________________________________
Ju mund te komentoni sesi Perendia ju ka folur ose sesi e degjoni zakonisht Perendine ne ecjen tuaj me Te...
