Cili është kërkimi më i rëndësishëm që njeriu
duhet të bëj pasi ka rregulluar marrëdhënien e tij me Perëndinë? Kjo është një
pyetje me rëndësi të madhe sepse pothuajse e gjithë jeta jonë merr drejtim nga
ajo që ne kërkojmë prej saj.
Disa
njerëz do të më përgjigjeshin kështu: ‘Të kërkosh të mbarosh një shkollë- ky
është kërkimi më me rëndësi’. Të tjerë thonë: “Të bësh një shkollë Biblike’.
Disa mund të thonë: ‘Të gjesh një punë dhe të blesh një shtëpi’. E të tjerë
mund të mendojnë ndonjë gjësend me rëndësi të përkohshme për ta, si një laptop,
ose një celular të fundit ose një makinë! Po, ka njerëz të tillë jeta e të cilëve
sillet brenda 4 rrotave!
Por cila është marrëdhënia më e rëndësishme e
njeriut, më e gjata dhe më kuptimplotë me një njeri tjetër? Është martesa! Perëndia
ka krijuar martesën si institucionin më të rëndësishëm për njeriun, marrëdhënia
nga e cila mund të krijohet një familje e shëndetshme, të përjetohet dashuria
dhe intimiteti më i thellë, gëzimet më të mëdha, kënaqësitë më të bukura dhe kujtimet
më të paharrueshme.
Prandaj nëse ka diçka që ia vlen të harxhosh
kohën, energjitë e tua, financat dhe gjitha mjetet ( e arsyeshme) për ta
gjetur, është harxhimi për të gjetur partnerin e jetës.
Bibla thotë tek Fjalët e Urta 18:22:
“Kush ka
gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.”
Nëse je
burrë, kërkimi i partneres jetësore duhet të jetë patjeter një prioritet në jetën tënde. Është mirë t’ia bësh vetes disa pyetje, nëse ende
je beqar dhe në moshë për martesë.
- A jam duke u lutur rregullisht për të gjetur partneren e duhur për jeten time?
- A jam duke u përgatitur për këtë marrëdhënie kaq të rëndësishme për jetën time?(të rritem frymërisht, të gjej një punë, të jetoj veç dhe jo në vartësi të prindërve, të menaxhoj financat siç duhet etj etj)
- A jam duke punuar me aftësite e mia sociale (si psh. A jam i shoqërueshëm me të tjerë, a interesohem për jetët e të tjerëve dhe përpiqem të jem më social?). A dal për kafe me besimtarët në grup dhe interesohem në të vërtetë të njoh zemrën e dikujt aty? Jo me qëllime të gabuara, por në çiltërsi të njoh karakterin e dikujt nga gjinia e kundërt??
- A kam miqësi të shëndetshme me të tjerë? (sepse supozohet që të jesh mik është një aftësi njerëzore shume e çmuar dhe partneri yt jetësor do të bëhet mikja më e mirë në jetë)
- Nëse në kishën tënde nuk ke dikë që mund të jetë partner potencial, a je përpjekur të zgjerosh rrjetin tënd të njohjes me të tjerë të krishterë nga kisha të tjera, sepse Shqipëria ka kisha të shumta kudo, pothuajse në çdo qytet. Nuk ka asnjë problem të vizitosh kisha të tjera ose konferenca të ndryshme për të rritur rrjetin e kontakteve në kërkim të dashurisë së vërtetë. Le të mos ndaloj frika nga gjykimi i të tjerëve. Nuk ke nevojë të lodhesh se çfarë mendojnë tjerët për ty. Ky është problemi i tyre! Kishat nuk janë monopol i njeriut dhe besimtarët janë të lirë të vizitojnë kishat e tjera për një takim ose konference ose aktivitet të caktuar –ska asgjë të keqe në këtë.
- A jam i hapur ndaj sugjerimeve të njerëzve frymëror rreth meje apo lejoj krenarinë të më thotë: “do ta gjej vet partneren time, skam nevojë për ndihmë”? ( Sugjerimi i dikujt nuk është ultimatum për martesë! Ka gjithë ato martesa që janë bërë më ‘mblesëri’ dhe kanë funksionuar në këtë botë. Ndaj sugjerimet nga ata që të njohin dhe të duan meri me sportivitet! Dhe nëse ideja e tyre nuk të pëlqen, është në rregull poashtu.
Mund të ketë edhe pyetje të tjera që mund të
shkruheshin këtu por thelbi i asaj që po them është kjo: “ Nëse je në kërkim të dashurisë së vërtetë ti do të jesh në lëvizje”.
Nuk ka kërkim pasiv. Kërkimi është gjithmonë aktiv! Hidhi një sy veprimeve të
tua! Je duke bërë ndonjë nga pikat e përmendura, a je duke lëvizur në ndonjë
nga pikat e mësipërme. Kur ka qenë hera e fundit që ke menduar për ndonjë vajzë
për martesë? A je përpjekur ta kontaktosh që ta njohësh më mirë? Nëse nuk është
nga qyteti yt ose fshati yt, ke menduar sesi mund ta takosh ndryshe, të shkosh
tek kisha ku ajo është dhe t’i bësh një vizitë.
Dëgjova për një vajzë që njihte një djalë dhe
djali i thoshte që të vinte dhe ta takonte në qytetin e tij. Mendimi im për këtë
ishte: vajza nuk duhet të shkoj asesi tek
djali! Është një veprim shumë i dobët nga ana e djalit. Nëse ai nuk është
në gjëndje të shkoj dhe ta takojë qëllimisht vajzën që ta njoh më mirë, nuk
është ende gati për një marrëdhënie martesore- të rrijë ende me prindërit sepse
nuk qenka rritur mjaftueshëm!
Nëse një djalë është
i interesuar tek vajza, duhet ai ta kërkoj dhe jo e kundërta. A je nga ata që po
pret që vajza të vijë tek ti? Atëherë të siguroj që do të presësh gjatë. Bibla
nuk mbështet një qëndrim të tillë dhe nuk e inkurajon fare.
Sot bëj pyetje vetes:
A jam vërtetë në kërkim të dashurisë apo mos jam duke e mashtruar veten? Mos u
çudit nëse pjesa e dytë e thënies të jetë e vërtetë.