Kur
mendoj mbi historinë e besimit të krishterë në trevat shqiptare janë disa pyetje që më
vijnë ndër mend. Si psh: Kush e solli
ungjillin për herë të parë në Shqipëri? Dhe
cilin ungjill e solli këtu? Cili
dokument e mbështet këtë fakt historik? Këto janë disa pyetje që më bëjnë të
reflektojmë mbi historinë e besimit të krishterë në trevat shqipfolëse.
Kur
flasim për trashëgiminë, ajo nënkupton diçka që paraardhësit tanë e kanë pasur
në pronësi ose në kulturën dhe traditat e tyre të cilën gjeneratat pasardhëse e
përfitojnë si dhuratë dhe vazhdojnë ta përcjellin tek gjeneratat që vijnë pas
tyre.
Por
ashtu si ekziston një trashëgimi fizike që kalon nga shekulli në shekull, një trashëgimi kulturore dhe tradicionale që
përcillet përgjatë shekujve, ashtu besoj se ekziston edhe një trashëgimi frymërore mbi një komb, mbi
një vend dhe mbi një popull të caktuar. Në fakt trashëgimia frymërore mund të
jetë edhe mbi një familje të caktuar që ka ndjekur Perëndinë dhe e ka kërkuar
atë nga njëri brez tek tjetri.
Shembull
i gjallë i trashëgimisë frymërore mbi një popull janë Judenjtë (ose hebrenjtë).
Ata, që nga momenti që u krijuan si komb, Perëndia i bekoi dhe u dha një trashëgimi
frymërore që sot e kësaj dite i ndjek nga pas dhe pavarësisht xhelozisë që
kombet e ndryshme kanë ndaj tyre, ata ngelen populli më i bekuar në historinë e
njerëzimit.
Nga
ky popull doli edhe Shpëtimtari i botës, Jezu Krishti nga Nazareti. Nga ky
popull i bekuar na dolën edhe Shkrimet e Shenjta. Nga ky popull dolën apostujt
e shenjtë të Perëndisë dhe ja ku jemi sot me një besim të krishterë të përhapur
kudo në botë.
Predikuesit e parë të Lajmit të Mirë (që është
fjalë për fjalë përkthimi i fjalës ‘ungjilli’) ishin nga ky popull, pra 12
apostujt e Jezusit. Kështu filloi krishterimi, nga ndjekësit e Krishtit që shpërndanë
Lajmin e Mirë të shpëtimit dhe faljes së mëkateve. Edhe pse lajmëtarët e
ungjillit ishin të shumtë dhe të parët ishin të gjithë hebrenj, lajmi i mirë
filloi të shpërndahej edhe tek kombet e tjera pagane në rajon dhe më vonë
filloi të shpërndahej edhe në Evropë.
Këtu
gjen fillesën edhe ajo që dua të ndaj në lidhje me trevat shqiptare.
Historikisht shqiptarët kanë banuar zonën e asaj kohe që quhej Iliri. Dhe në këto
treva kishte fise Ilire (prej nga vijnë edhe shqiptarët) të cilët si edhe shumë
kombe të tjera ishin pagan dhe besonin në hyjni pagane që nuk kishin një lidhje
me Perëndinë Krijuesin që hebrenjtë kishin shekuj që e njihnin dhe ndiqnin.
Në
këto treva Ilire erdhi një nga apostujt e parë të Krishtit që quhet apostull
Pali. Ai ishte hebre, nga fisi i Beniaminit. Atij Zoti Jezus iu shfaq në vegim
dhe e zgjodhi me qëllim që ta çonte lajmin e mirë tek kombet pagane, pra ato që
nuk ishin nga prejardhja izraelite.
Apostulli
Pal i shërbeu Zotit Jezus në kombe të ndryshme dhe filloi shërbesën siç duket
fillimisht në Jerusalem dhe e çoi atë deri në Ilirukum para viteve 57–58 p.K. kur supozohet që ai shkroi letrën e Romakëve. Dihet që pas shkrimit të kësaj
letre apostulli Pal ka vazhduar udhëtimet e tij deri në martirizimin nga
pushteti romak.
Por ku është rëndësia e kësaj që shikojmë
këtu?
Së pari, ky dokument dëshmon
që krishterimi në trevat shqiptare (ilire) është një krishterim që ka fillesat
në shekullin e parë të erës sonë dhe arriti tek këto treva para se arriti tek
vendet që sot njihen si tradicionalisht të krishtera, si vendet perëndimore
Evropiane. Pra para se Pali shkoi në Romë ai tashmë kishte ardhur në trevat e shqiptarëve.
Së dyti, lajmi i mirë që
Pali predikoi ishte ungjilli autentik me shenja dhe mrekulli (lexo Romakëve
15:19).Pra ishte lajmi i mirë dhe i plotë në kuptimin më të thellë të fjalës.
Pra ishte ai ungjill që ne e lexojmë në Biblën e Shenjtë. Pali nuk predikoi as
protestanizmin, as katolicizmin dhe as orthodoksizmin, sepse në kohën e tij, këto
denominacione të krishtera nuk ekzistonin ende. Pra Ilirët e parë që besuan tek
Krishti quheshin të krishterë pa asnjë shtesë tjetër, dhe shqiptarët e parë që
përqafuan Krishtin do të quheshin njëlloj, pra të krishterë për nga besimi. Kjo
do të thotë që trashëgimia frymërore që shqiptarët e hershëm fituan ishte
besimi tek lajmi i mirë i Jezu Krishtit, besimi tek Ungjilli i panjollë dhe i
pastër nga çdo devijim njerëzor.Historia nuk tregon se sa veta besuan në Iliri
në shekullin e parë, por disa fakte tregojnë që në Durrës kishte disa familje që
besuan tek Krishti që në vitet 58 p.K.( Robert Elsie, The Christian Saints of Albania)
Së treti, të kesh një
apostull të rangut të Palit, të vijë në Iliri dhe të predikojë dhe të hap kisha
kudo që shkonte, nuk ka dyshim që të njëjtën gjë e bëri edhe në trevat Ilire.
Iliria nuk ishte një qytet por një territor i tërë i banuar me fise të
ndryshme. Pali ishte ekspert në ndërtimin e kishave, si një arkitekt i ditur (1
Korintasve 3:10) dhe këtë nuk e vë askush në dyshim, sepse historia tregon për
kishat që ai themeloi. Prandaj nuk dyshojmë që ato që ai ka filluar në Ilirinë
e lashtë duhet të kenë ndjekur Jezusin përgjatë shekujve.
Së katërti, kjo dëshmon që
besimi i parë në këto treva ku shqiptarët sot jetojnë ka qenë besimi i krishterë.
Dhe kjo është një trashëgimi në frymë, për këdo që jeton në trevat Ilire dhe e
quan veten pasardhës të tyre. Pra shqiptarët paganë për herë të parë përqafuan
besimin tek Zoti Jezu Krisht dhe e ndoqën Atë që nga shekulli i parë i erës sonë.
Kjo vërtetë është një trashëgimi për të cilën duhet të jemi falenderues Perëndisë
sepse shumë pak kombe e kanë pasur këtë privilegj që ta kenë ungjillin që nga
fillimi i tij.
Është
mirë t’i kthehesh shpesh herë historisë për të parë gjurmë të trashëgimisë frymërore
që të parët tanë na kanë lënë. Kjo trashëgimi është tashmë aty si një thesar që
nuk mund të zhduket. Po ka nga ato njerëz që nuk e pëlqejnë trashëgiminë frymërore
dhe përpiqen ta fshehin atë, që drita e saj të mos ndriçojë brezat që po vijnë
por lavdi Perëndisë që Ai nuk e ka braktisur kombin tonë dhe i ka dhënë njerëz
që ende e besojnë Zotin Jezu Krisht dhe ndjekin Biblën e Shenjtë dhe i janë mirënjohës
Atij, që zgjodhi të sillte ungjillin që në fillim në trevat Ilire.
Pavarësisht
sesi historia e besimit ka vazhduar në trevat shqiptare për shkak të pushtimeve
dhe sundimeve të ndryshme si dhe ndikimeve negative që kombet e tjera kanë
ushtruar mbi popullin tonë, trashëgimia frymërore është aty, e pamposhtur nga
ligësia dhe e vendosur përherë në Shkrimet e Shenjta që ungjilli erdhi në
trevat shqiptare (Iliri) dhe u vendos që herët si një pishtarë që do të na
ndiqte përgjatë shekujve deri në konsumimin e epokave dhe rikthimit tek sundimi
i përhershëm i Perëndisë mbi krijimin e Tij.
Nëse
ti je shqiptar dhe je i besimit të krishterë, ti je një nga pasardhësit e atyre
Ilirëve të parë që ashtu si ti, vendosën të besojnë në lajmin e mirë të Jezus
Krishtit dhe të besojnë tek Perëndia Krijues, që fal mëkatin përmes pendimit
dhe besimit tek vepra sakrifikuese e Jezusit të kryqëzuar. Pra mbi të gjitha je
kthyer në origjinën e besimit të parë tek
Perëndia në këto treva dhe duhet të jesh krenar për një trashëgimi kaq të
pasur frymërore që ke.
Dhe
mënyra më e mirë për ta vazhduar këtë trashëgimi frymërore është përmes lutjeve
tek Perëndia, në emrin e Zotit Jezus, që ai lajm i mirë që erdhi 2000 vjet më
parë në këto treva të vazhdojë të predikohet, mësohet, shpallet dhe zbatohet përmes
atyre që ia kanë dorëzuar jetën Perëndisë dhe Zotit tonë Jezu Krisht.