Pasi
shfletova mbi 700 faqe lexim të librit autobiografik ‘Rrno vetëm për me tregue’
nga At Zef Pllumi, ishte e pamundur ta mbyllja këtë përvojë pa shkruar disa nga
përshtypjet që ky libër më la. Më duket se i bëri shumë mirë ndërgjegjes sime
sepse historia e përshkruar në këto faqe është më se e fuqishme për të prekur
ndërgjegjen e kujtdo që i do njerëzit dhe e do popullin në të cilën ka lindur
dhe është rritur.
Së
pari mendoj që ky libër duhet lexuar nga kushdo që nuk e njeh historinë e Shqipërisë
komuniste (vitet 1945-1989) në veçanti ata që janë shumë patriotë dhe flasin për
kohën e komunizmit si një kohë shumë të mirë për popullin tonë, sa edhe sot
mund t’i dëgjosh me fjalë lartësuese mbi atë kohë të ‘lavdishme’.
Nëse
je mbi 50 vjeç dhe ke lindur në Shqipëri, ky libër do të bëjë shumë mirë për të
kujtuar atë kohë kur një njeri me emrin Enver Hoxha vendos të shpall Shqipërinë
ateiste dhe të rris një brez njerëzish që nuk do të besonin në Zot dhe ta çoj këtë
popull në një rrugë që asnjë komb nuk e ka zgjedhur deri më sot. Kohë kur ‘nëna’
nuk ishtë mëmëdheu por Partia, ku rreziku vinte nga njerëzit më të afërt dhe
kur për një fjalë goje mund të internoheshe në kampet e riedukimit ( që për mua
duken më të këqija se ato të përqëndrimit) sepse në to të vdisnin ngadalë,
sepse donin që shpirti yt të vdiste para se trupi të të linte.
Një
histori e jashtëzakonshme e një kleriku katolik si At Zef Pllumi vërtet më
shtyu të mendojë edhe më thellë se sa e vështirë duhet të jetë për njerëzit në
Shqipëri, të cilët kanë qenë pjese aktive e këtij sistemi shkatërrues, që vërtetë
të besojnë në Zot kur përgjatë dekadave të tëra e kanë mohuar, e kanë shkatërruar
besimin e të tjerëve dhe kanë prishur vendet e tyre të shenjta dhe të çmuara.
Historia
tregon që Izraelit iu deshën 40 vjet në shkretëtirë që të çliroheshin nga
pranga mendore e sistemit skllavopronar në të cilën u rritën në Egjipt edhe pse
panë mrekullitë e Zotit nga qielli. Po shqiptarët që jetuan kohën e komunizmit,
shumë prej tyre sot janë në moshën 50 se sipër por edhe më të rinjë se aq, që
kanë përjetuar atë frymë mohuese të Krijuesit sot ecin nëpër qytetet dhe
fshatrat e Shqipërisë dhe botës pa një ndjesi për pendesë ose aq më pak për
keqardhje për ata që vuajtën në këtë sistem të pamëshirshëm, që u përpoq t’i
fshinte nga toka.
Por
ja, vepra e At Zefit është akoma gjallë, sepse tirani nuk arriti ta vriste këtë
njeri të thjeshtë dhe të sinqertë që duhej patjetër të qëndronte gjallë, për të
na treguar të vërtetën e hidhur të partisë komuniste dhe atyre që e ndoqën verbërisht
një sistem djallëzor, pa pyetur se ku po i çonte.
Në
parathënie, thotë Ismail Kadareja,’Gjithë
shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër..ata që e jetuan atë kohë ,e po aq,
në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar…të shtypurit , në mos më tepër, ata që
shtypën të tjerët…për të ka nevojë ndërgjegja jonë.’
Unë
i përkas atyre që nuk jetuan në Shqipëri në ato kohë por erdha në kohën pas rënies
së komunizmit dhe kjo vepër më bëri të njoh hidhësinë e një sistemi që duhen
dekada për ta fshirë dhe kjo vetëm tek ata që lejojnë Perëndinë e së vërtetës
t’i çlirojë përmes faljes dhe pendimit të vërtetë.
Libri
është një jetë-rrëfim në tre pjesë, kohë burgu pastaj lirie e shkurtër dhe burg
prap. Sikur nuk mjaftoi vuajtja e parë, por duket se vuajtja dhe një hir i
fshehur e shoqërojnë at Zefin nga burgu në burg, nga kampi në kamp. Nuk e kisha
idenë sa shumë vepra në Shqipëri ishin ndërtuar nga të burgosurit. Jo vetëm që
janë dënuar padrejtësisht por edhe shfrytëzuar për dekada të tëra, dhe në fund
vrarë sikur diçka e pavlerë.
Historia
fillon me vitin 1944, edhe pse partia komuniste në Shqipëri ishte formuar që në
vitin 1941 dhe kishte filluar infiltrimin me propagandën e tyre tek masat në
vend. Autori nuk frenon fare në identifikimin e Enver Hoxhës me emrin tiran gjaksor. Si duket e ka njohur
natyrën e këtij më thellë se shumë prej shqiptarëve të tjerë, sepse fati e bëri
që në burgjet ku kaloi një pjesë kaq të gjatë të jetës së tij, ta përjetonte me
mish e me shpirt tiraninë e këtij njeriu përmes vartësve të tij që i kishte
kudo. E të mos themi sa herë është detyruar, nga dy orë çdo ditë, t’i dëgjojë të
lexuara veprat e tij në burg. Dhe e gjithë kjo si metodë e riedukimit të të
burgosurve! Ky riedukim mund të ketë sjellë në mëndjet e të burgosurve vetëm
urrejtje edhe më të madhe për autorin e këtyre veprave, që pas rënies së
komunizmit përdoreshin për të mbështjellë byrekët e ngrohtë të lagjes.
Fillimi i librit përshkruan jetën e shërbestarëve
të klerit në shërbimet e tyre si dhe jetën e popullit në vitet e para të pasluftës,
ndikimin e partisë komuniste të diktatorit Tito si dhe vendosja e yllit në
flamurin kombëtar qysh në fillim. Kisha katolike ishte në kopshtin e
Gethsemanit – thotë autori. Duket se njerëzit e Zotit e nuhatën erën e një
sistemi që kudo në botë ka shkaktuar kaq vuajtje dhe vrasje. Shumë shpejt gjërat
filluan të ndryshojnë për të keq dhe vet autori thotë që një paralizë e përgjithshme
i ra jetës normale (fq.23)
Libri
përmban emra njerëzish të cilët vriten nga sistemi, torturohen dhe disa vrasin
veten vetëm për të mos rënë në duar të pushtetit të lig. Ajo që më befason më
shumë është kujtesa e qartë e njerëzve, tipareve, zakoneve të ndryshme të
trevave në veriun e Shqipërisë me një saktësi dhe çiltërsi që të bën të
ndjehesh sikur po prek në realitet njerëzit dhe po takohesh me ta drejtëpërdrejtë.
Ndoshta edhe rrëfimi i thjeshtë dhe tejet transparent i At Zefit i bën historitë
aq të prekshme.
Një
pjesë tjetër e librit tregon për edukimin e etërve katolik, që tregon për një
pasuri intelektuale që ishte e rrezikshme për pushtetin e asaj kohe, siç ndodh
edhe sot në sisteme të prapambetura post-komuniste. Dituria dhe shkollimi i
vërtetë është një rrezik i madh për budallain dhe injorantin, në veçanti nëse
ata janë në pozita udhëheqësie. Një nga etërit që përmendet, At Pali, i cili
sipas autorit ishte një arkiv i vërtet (fq.42) i thotë në një vend:” Fra Zef, politika është politikë! Të
gjithë ujqit, çakajt, qentë, dhelpnat, orlat, etje. janë në një mendje që të mbytet cjapi, por ngatërrohen
mandej mes vedit se kush ta hajë, kush ta marrë copën ma të majme. Përfitimi e
lavdia zakonisht i mbeten dikuj tjetër.”(fq.43). Duket sikur nuk ka
ndryshuar gjë në vendin e shqiponjave!
Nuk
e di sa shumë paragrafe kam nënvizuar në këtë libër dhe nuk i përmend të gjitha
këtu por urtësia e njerëzve të thjeshtë të veriut të Shqipërisë dhe disa nga
zakonet dhe traditat e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor më bën të mburrem që
vij nga një komb i tillë dhe që flas një gjuhë kaq të vjetër dhe të pasur.
Dialekti i At Zefit më ktheu në fëmijërinë time në Kosovë, me disa nga
shprehjet që nuk i dëgjoj fare sot në të përditshmen time ne Tiranë.
Kur
lexoj një mendim të autorit mbi qeverisjen më jep përshtypjen sikur jemi në
Shqipërinë e 2018-tës. Ai shkruan:’Koncepti
oriental i qeverisjes jep ato fuqi të cilat, mund thomi , në një farë mënyre,
nuk i ka mbajtë për vedi as Zoti- Krijues. Në mëndjet e ktyne sundimtarëve nuk
kanë vend as për të drejtat njerzore, as mendimi i lirë. Këta supozojnë se me
marrjen e pushtetit në dorë, u jepet e drejta e pronësisë mbi pasunitë,
veprimet, mendimet, jetën e secilit nënshtetas.’(fq.61) Duket sikur ky
koncept oriental është akoma gjallë në trevat tona pavarësishtë rënies së
komunizmit.
Shumë
shpejt fillojnë martirët e parë emrat e të cilëve janë shumë të shpeshtë në
familjet e krishtera, si Gjoni, Danjel, Mark, Gjergj, Fran etj. Ata ishin
trima. Vdiqën duke thënë: Rroftë Krishti. Pyes veten ata vrasës që i pushkatuan
sesi janë ndjerë kur kanë dëgjuar këto fjalë. Është e pamundur të mos ngelej përgjithmonë
thirrja e tillë në ndërgjegjen e tyre të korruptuar. Për lexuesin mund të jenë
thjesht emra në një faqe libri por për ata që jetuan me ta, ishin njerëz prej
mishi dhe gjaku, vëllezër dhe djem të një familje të vërtetë shqiptare që përjetuan
hidhësinë e komunizmit që në vitet e para të pasluftës. Kurbani i asaj kohe ishte kleri katolik dhe
intelegjenca, edhe pse, dëshmia e burgjeve ku autori kaloi një pjesë të madhe të
jetës së tij, tregon se aty kishte edhe myslimanë, bektashinjë dhe vetë ish-komunistë
që për shkak se nuk ndoqën direktivat e tiranit përfunduan edhe vet në rrjetën
e marimangës që ndërtuan.
Kur arrestojnë për herë të parë
autorin është një skenë ku një fshatar qëndron aty pranë dhe ndërsa komunistët
i lidhin duart pas shpine, këtij katundari i shkojnë lotët në faqe. Kjo tregon
një nga shumë skenat e prekshme të historisë ku njerëz të thjeshtë por fisnik
ndjejnë dhembshuri në situata të tilla ndaj bashkëkombasve të tyre që dënohen
padrejtësisht nga një sistem i sëmurë. Autori nuk kursen përshkrimin e
vuajtjeve personale dhe të atyre që i ka shikuar vetë në burgje dhe vende
torturash. Disa histori besoj do të ngeleshin
përjetësisht të fshehura po të mos kishte mbijetuar At Zef Pllumi nga këto
tortura. Prandaj edhe leximi i këtij libri ka rëndësi për çdo shqiptar që kjo
gjë të mos përsëritet më kurrë dhe kjo mendësi të mos mbizotërojë në shoqërinë
tonë.
Libër i pasur me shumë histori dhe mendime fisnike që i mungojnë shoqërisë sonë dhe në veçanti vendeve në Ballkan, që janë plot me mendësi që rrjedh nga sistemi i dështuar komunist. Burgimet me vite të tëra të njerëzve të pafajshëm dhe puna e detyrueshme ishin një nga mënyrat sesi pushteti shuajti jetët e shumë klerikëve dhe të panënshtruarve të asaj kohë. Dëshmitë e tyre për mua janë të barabarta me heroizëm sepse shumë prej tyre nuk mohuan atë që besuan me gjithë shpirt. Aty shikojmë sesi klerikët falin tradhëtarët para pushkatimit, rasti i At Mate Prendushi kur i thotë D. Ndoc Sahatçisë: - Dom Ndoc, un jam tue të falë me gjithë zemër për të gjitha shpifjet që ke ba kundra meje dhe të tjerve..(fq 159). Më kujton frymën që ishte tek Stefani para se të gurëzohej nga turma që nuk njihte Zotin Jezus tek Veprat e Apostujve (Veprat 7:54-8:3), martiri i parë i krishterë që fali vrasësit para vdekjes. Përshkrimi i detajuar i burgjeve, i njerëzve në të, i veprimeve të punonjësve në to, të akuzuesve dhe njerëzve të sigurimit të jep përshtypjen e një trilleri të mirëshkruar dhe jo të një realiteti që dikush e ka jetuar në të vërtetë. E aq më tepër kur e di se është e vërtetë, se çfarë disa shqiptarë i kanë bërë bashkëkombasve të tyre, të shtynë që të lutesh për këto njerëz, këta torturues që të gjejnë vërtetë vend të pendohen për të zezat që kanë bërë.
Disa prej këtyre njerëzve mund të jenë gjallë edhe sot në Shqipëri ose jashtë saj, mund të kenë ndërtuar familje dhe rritur fëmijë me këtë lloj frymë të keqe të urrejtjes ndaj mendimit të lirë dhe ndryshe. Nuk imagjinoj dot sesi këta torturues, pasi të kenë vrarë dhe munduar kaq shumë njerëz të pafajshëm nëpër burgjet dhe kampet e punës së detyruar, të jenë kthyer në shtëpi dhe të kenë edukuar fëmijët e tyre në dashuri ose të kenë treguar dashuri ndaj familjarëve të tjerë pas gjithë kësaj. Është plotësisht e pamundur të ketë ndodhur sepse çfarë ka zemra, del nga goja dhe ajo çfarë del nga goja e tyre në këtë libër është çnjerëzore dhe At Zefi arrin ta përshkruajë përmes vuajtjeve personale të keqen që përjetoi. Por të mos harrojmë origjinën e këtyre veprimeve, ato kishin një qendër prej nga vinin, nje ideator, dhe shpërndaheshin dhe merrnin kontroll mbi gjithë Shqipërinë duke e shndërruar këtë vend një burg për banorët e saj dhe një vend ku frika dhe nënshtrimi i pavullnetshëm ishin si bukë me djath.
Kur flet për punën e detyrueshme, në një brigadë me 29 priftërinj në një breg të Shkumbinit tregon me detaje: Dheu gërmohej me kazma dhe lopata, transportohej me karroca druni dore: karrocat ishin punue si ato ma primitivet e historisë se njerzimit: me rrotë drunit, peshonte më shumë karroca sesa dheu që hidhej mbrendë. Policët aty me shkop, sa herë që pengohej trafiku, sillshin mbi shpina njerzish të kthyem në kafshë pune. Vetëm në atë moment e kuptova kjartë si ishin punue piramidat e Egjiptit…njeriu nuk ishte ma njeri, por vetëm një mjet prodhimi. Vetëm atëherë e vërtetova në jetë marksizëm- leninizmin stalinian. Stalini ka thënë- kështu përsëriste Enveri- se njeriu është kapitali më i çmuar, pra nuk është njeri, por një kapital në dorë të njanit për të cilin duhet të pyesim: a është ky njeri?’ (fq 186)
Kur përshkruan një nga kampet, thotë që përbërja e njërëzve aty ishte me “inxhinjera e profesora, ekonomista e ish-ministra, priftën katolikë, shkrimtarë e studenta”.(fq.211) është e vërtetë që njerëzit që ishin jashtë burgjeve nuk e kishin idenë se çfarë bëhej brenda burgjeve dhe vujatjet e njerëzve në to. Kur doli për herë të parë nga burgu dhe shkoi në një shtëpi Korçare thotë se aty përjetoi pritjen më të mirë në jetë, te familja e Gaqo X (sepse mbiemrin nuk ua mësoi dot, sepse ishte mik i mikut në burg). Këta e pritën me një dashuri ungjillore (fq 243). Edhe në mes vuajtjesh Perëndia u shfaq në raste të caktuara për të ngrohur zemrën e përvuajtur të autorit.
Herën e parë kur u lirua nga burgu dhe u kthye ne shtëpi për të takuar familjen, jeta e tij ishte e rrezikuar. Duke mos dashur që familja e tij të vuaje për shkak të tij vendos të kthehet nga Shëngjini në Shkodër ku kishin ngelur vetëm 4- 5 fretën, të cilët u çuditën që At Zefi do të kthehej sërish tek ata. Aty At Marini që ishte përgjegjësi në kuvend, i thotë të kthehet në katund sërish por At Zefi këmbëngul që është më i sigurt në qytet sesa në fshat. At Marini këtu inkurajon autorin që duhet të “rrnojë vetëm për me tregue”,(fa 253) gjë që në fakt edhe ndodhi sepse ne sot e kemi dëshminë e shkruar të tij.
Ka shumë gjëra të tjera interesante në fletët e këtij libri, i cili përmban një mesazh sensibilizues për ata që nuk e njohin mirë vuajtjet e atyre që nuk përqafuan sistemin anti-Zot, anti- drejtësi të komunizmit. Në Gjermaninë e pasluftës ishte një proces që quhej denazifikimi. Denazifikimi është një term që përdoret për të përshkruar përpjekjet e forcave Aleate për të larguar anëtarët aktiv të Partise Nacionaliste (Naziste) Socialiste nga zyrat publike dhe pozitave me ndikim në Gjermani pas Luftës së Dytë botërore. Kjo sepse njerëz të tillë me një mendësi të shpërlarë nga politika naziste nuk duhet të kishin të drejtën të drejtonin popullin në fazën e lirësë së pasluftës.
Po a nuk duhet të kishte një proces të tillë dekomunizmi ku figurat e përfshira në sistemin drejtues komunist të mos ishin në postet drejtuese në vendet post-komuniste? A nuk janë pikërisht ata që ishin në pushtet komunist( si dhe fëmijët e tyre) ata që kishin lidhjet e duhura pas rënies së sistemit, dhe hyrjen në financat e shtetit dhe pasuritë me të cilat shumë shpejt mund të ngriheshin në pushtet?
Tani 50 vjet pas ditës së kobshme të shpalljes së Shqipërisë ateiste, ky libër aq më shumë duhet lexuar dhe studiuar për hir të ndërgjegjes personale dhe kolektive shqiptare. Por filmat komunist shqiptarë, shumë prej të cilëve të projektuar enkas për të indoktrinuar mendësinë e turmave për të mirat e partisë, vijojnë ende të hyjnë në mendësinë dhe ndërgjegjen e brezave të rinj shqiptarë nga media shqiptare. Prandaj mendoj që një lexim i kësaj vepre do të demaskonte një pjesë të madhe të fytyrës së vërtetë të propagandës famëkeqe të asaj kohe dhe do të nxirrte në pah një hije tjetër të komunizmit në Shqipëri.
Në
fund po e mbyll me një pasazh nga pjesa e dytë e librit, ku në një mbledhje tek
shkolla është një diskutim midis përfaqësuesit të Frontit dhe popullit të
thjeshtë. Në diskutim e sipër një burrë flet dhe pyet përfqësuesin:
-Kush e ka qitë
këtë dije se nuk ka Zot? –
-Marksi.
-Po ky Marksi
prej cilit vend ish, shqiptar?
- Nuk ish
shqiptar, por gjerman.
-Gjerman?..Po
librat e vet, shqip i ka shkrue?
-Jo,jo. Shkrue i
ka gjermanisht, por na i kemi përkthye shqip.
- Mbasi i ka shkrue
gjermanisht, sigurisht që gjermanët i kanë lexue e pse nuk e kanë marrë këtë
dije të tij gjermanët por e kemi marrë na!
-Gjermanët janë
kapitalista e nuk u pëlqen Marksi, prandaj ata e mbajnë fenë, se duen
kapitalizmin.
-Mirë, more
shok, po gjermanët janë që dijnë me ba gjithshka: makinat e avionat që kishin
ata nuk i ka pasë kush në botë, pra janë të dijtun e na që nuk dijmë ende me
punue njekët kuti duhanit, na duem me i dhanë mend botës !(fq.458)
Histori
të tilla gjeni në fletët e këtij libri. Njerëzit e përshkruar aty do t’ju bëjnë
të qani, të qeshni, të ndjeni keqardhje dhe ndoshta edhe urrejtje ndaj atyre
veprave që u bënë ndaj shqiptarëve të pafajshmëm. Lexojeni për ndërgjegjen
tuaj- do t’ju bëj mirë pa diskutim!
______________________________________________________________________________
Libri:
Rrno vetëm për me tregue
Autor:
At Zef Pllumi
Botues
“Hylli i Dritës”
Shtepia Botuese 55
ISBN 99943-799-8-4
CMIMI 2100 leke