Secili njeri ka një çmim. Djalli është i gatshëm të paguajë LEKË për shpirtin tënd sepse ai e di që sado para të përdor për ty, ti vlen më shumë dhe ai del gjithmonë fitimtar në këtë shitblerje.
Çmimi i Judës ishte 30 monedha argjendi ( me lekët tona afërsisht 70.000 lekë të reja). Ky ishte çmimi i Judës. Por çfarë bëri ai për kaq lek? Tradhëtoi Jezusin, Shpëtimtarin, të vetmin që ka jetën e përjetshme.
Shumë njerëz thonë: “Unë kurrë nuk do ta bëja këtë, unë kurrë nuk do ta tradhëtoja Zotin tim”. Por duke qenë që kam vite si pastor kishe, kam parë njerëz që e kanë bërë këtë, e kanë lënë Jezusin për një gjë të caktuar (pa i vënë asaj gjëje një emër tani) dhe janë kthyer sërish në botën që kanë qenë ose janë bërë edhe më keq se më parë!
Por kjo tradhëti nuk është e menjëhershme.Satani bën pagesa të vogla fillimisht për të dhënë një shije të lekut ose kënaqësisë, dhe pastaj vjen tek pagesa përfundimtare që të bën ta mohosh Jezusin me veprat e tua.(Mateu 10 :33; 2 Tim 2:12)
Cili është çmimi ynë? A është 70,000 lek si Juda? Mos është më i lartë se kaq? Disa e mohojnë Zotin Jezusin edhe për më pak disa për më shumë. Pse ndodh kjo? Sepse vlera që i japin besimit të tyre është shumë e ulët. Të krishterët e devotshëm e shikuan besimin e tyre si diçka SHUMË më të çmuar se ari që prishet (1 Pjet 1:7) pra se lekët, dhe nuk e mohuan Zotin e tyre që i bleu me një çmim kaq të lartë, me gjakun e derdhur në Golgota.
Kisha e Jezusit gjithmonë ka pasur dhe do të ketë besimtarë të tillë, që nuk e mohojnë Zotin e tyre për ca lek ose për një cope pozite ose karriere ose për shoqëri me njerëz që i largon nga Krishti dhe i çon në greminat e errësirës. Shikoni paralajmërimin e Biblës:”Ç'dënim më të keq meriton, sipas mendimit tuaj, ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e ka konsideruar profan gjakun e Besëlidhjes me të cilin u shenjtërua, dhe ka fyer Frymën e hirit?” (Heb 10:29)
Mos e shit besimin tënd për lekë dhe për asgjë tjetër. Besimi yt tek Jezusi është e vetmja gjë që ka vlerë për ty sepse është e vetmja gjë që tregon se ke ushtruar vullnetin tënd të lirë për të përqafuar Atë që ta ka dhënë dhe të ka krijuar.
Disa çuditen sesi Juda arriti ta bënte një gjë të tillë ndaj Zotit Jezus por Bibla thotë që djalli e kishte paguar Judën edhe më parë, përmes lekëve që i vidhte nga ofertat e Jezusit. Pra satani kishte punuar më herët me Judën jo vetëm në ditën e tradhëtisë. Prandaj sigurohuni që nuk i jepni djallit asnjë vend në shpirtin tuaj, trupin tuaj dhe frymën tuaj. I ligu dëshiron të na ketë, sepse ne jemi thesari i Perëndisë ndaj dhe na sulmon. Le të mos ia japin kënaqësinë tradhëtarit të parë, që kundërshtoi vet Perëndinë në vendet qiellore dhe deshi lavdinë më shumë sesa Krijuesin.
Besoja veten tënde sërish dhe sërish Zotit Jezus i cili është besnik për ta mbaruar me sukses atë punë të mirë që ka filluar tek ti!
_______________________________________________________________________________
Disa pyetje per te reflektuar:
- Jeni tunduar ndonjehere qe ta mohoni Krishtin?
- A ju kane ofruar para qe te beni kompromis me besimin tuaj tek Krishti?
- Si ia dolet ta shmangni mohimin e besimit tuaj?